Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se Rusia ka krijuar një forcë të veçantë që përbëhet nga oficerë të zbatimit të ligjit, që në rast nevoje të ndërhyjë në Bjellorusi, njofton Insajderi.
Në intervistën që e ka dhënë për kanalin televiziv Rusia1, Putin thotë që kjo forcë është krijuar me “kërkesë të presidentit bjellorus, Aleksandër Lukashenko, për t’u përdorur ndaj elementëve ekstremistë, për të mbrojtur pronat nga dëmtimi dhe vjedhjet”.
Lidhur me këtë eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka thënë se kështu Putini po e bën Bjellorusinë një Siri tjetër.
“Shikojeni në cilat vende ka ndikim Putini? Në vendet ku ka totalitarizëm, ku nuk ka demokraci. Në Siri Asadi është në pushtet qe 20 vjet, kurse Lukashenko në Bjellorusi qe 26 vjet. Këta e ndihmojnë njëri-tjetrin dhe i luftojnë qytetarët e tyre”, ka deklaruar Musliu për KP-në.
Musliu tutje ka shtuar se në Bjellorusi pritet që të eskalojë situata, pasi që ndërhyrja e Lukashenkos sipas tij, do të bëhet edhe më e ashpër, mirëpo qytetarët duket se janë të vendosur që t’I bëjnë ballë sistemit dictatorial të tij.
“Ndërhyrja e Lukashenkos do të bëhet edhe më e ashpër, por e mira është që qytetarët duket se janë të vendosur që t’i rezistojnë sistemit diktatorial të tij. Kjo e bën të ardhmen e sigurisë në këtë shtet të diskutueshme, dhe të paparashikueshme”, ka thënë ai.
Protestat në Bjellorusi kanë filluar me nëntë gusht, pas përfundimit të votimit për zgjedhjet presidenciale, kur komisioni qendror zgjedhor njoftoi se Aleksandër Lukashenko kishte fituar mbi 80% të votave. Gjatë protestave në qytetet bjelloruse janë arrestuar mijëra protestues, ndërsa në mesin e protestuesve ka edhe të vrarë. /Insajderi.com