Mustafa: Ahmeti vetëm ka përfunduar projektet e mia, s’ka përmbushur asnjë premtim

Mustafa: Ahmeti vetëm ka përfunduar projektet e mia, s’ka përmbushur asnjë premtim

Kryeministri i vendit, paraardhësi i Shpend Ahmetit në krye të komunë së Prishtinës, ka thënë se Ahmeti nuk ka përmbushur asnjë nga premtimet madhore që ka bërë, por vetëm ka përfunduar projektet e nisura nga ai.

“Shpend Ahmeti ka premtuar shumë, ka premtuar tepër shumë dhe në afate të caktuara dhe nuk i ka realizuar as për së afërmi premtimet e tij, në asnjë fushë. Nuk e kemi asnjë fushë që ai e ka realizuar por vetëm ka arritur që ti përfundoj investimet që kemi nisur ne, ngrohja e qytetit, fabrikës së ujit, autobusëve etj”, ka thënë Mustafa në televizionin publik.

Ai ka përmendur siç tha ai “disa rrugë dhe trotuare e ca çerdhe” të cilat i ka bërë Ahmeti, por ka thënë se premtimet e mëdha sikurse ulja e çmimeve të banesave nuk është realizuar.

“Kanë premtuar se ujin në 24 orë do ta bëjnë brenda një viti i janë dashur tri vite”, ka thënë Mustafa.

Ai ka treguar se me qëllim e ka evituar takimin me Ahmetin sepse nuk do që ta takohet me pasardhësin e një posti të tij.

Ka folur gjithashtu edhe për kandidatin e LDK-së në krye të Prishtinës, por nuk ka përmendur ndonjë emër.

“Nuk kemi ende ndonjë emër, por mund të them se kryetari jonë do ta fitoj Prishtinën”, ka thënë Mustafa.