Mustafa: Çdo rrugë, çdo park, është ndërtuar nga ne

Mustafa: Çdo rrugë, çdo park, është ndërtuar nga ne

Ish-kryetari i Komunës së Prishtinës, njëherësh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka vlerësuar me notë të ulët qeverisjen e kryeqytetit nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Shpend Ahmeti.

Mustafa ka thënë se pasardhësi i tij, Ahmeti, ka bërë shumë pak punë në Prishtinë gjatë qeverisjes së tij në katër vjetët e fundit.

“Edhe 25 vjet po ta udhëhiqte Prishtinën, Shpend Ahmeti nuk do të mund t’i bënte punët që LDK-ja i ka bërë për 4 vjet. Çdo rrugë, çdo park, është ndërtuar nga ne”, ka thënë Mustafa, në Klan Kosova.

Ai më tej ka folur edhe për dosjet që ia janë dërguar në prokurori nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Nuk mund të them se nuk kemi bërë gabime gjatë punës sonë, apo se kemi bërë punë ideale. Por mund të them se është punuar shumë. Lëndët në prokurori janë çuar me tendencën që të vihet perde e zezë mbi atë që është punuar në Prishtinë”.

Mustafa ka thënë se Ahmeti nuk meriton më të qeverisë me Prishtinën.