Mustafa: Disa analistë të vetëquajtur ia duan fundin LDK-së

Mustafa: Disa analistë të vetëquajtur ia duan fundin LDK-së

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka folur rreth deklaratave të, siç ka thënë ai, kundërshtarëve të partisë së tij.

“Me siguri mund të them se nuk ka subjekt politik, jo vetëm në Kosovë por edhe në vendet që e kanë kaluar tranzicionin, që tërhoqi dhe tërheq vëmendjen siç është Lidhja Demokratike e Kosovës. Parti që hyri në vitin e 28-të të veprimtarisë së saj”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e tij në Facebook.

“Kundërshtarët dhe disa të vetëquajtur analistë politikë, luten t’ia shohin fundin e ajo vetëm sa rigjenerohet”, ka shtuar ai.

“Publicistë të caktuar e disa drejtues të shoqërisë civile u përpoqën e po përpiqen të diktojnë se kush sipas tyre duhet të drejtojë LDK-në, e LDK u thotë se ata duhet të presin në rend, të aktivizohen në nëndegë, të propozohen nga degët në Kuvendin e LDK-së në zgjedhjet e ardhshme. LDK është e hapur për opinione të ndryshme, por LDK vendos vet. Askush nuk mund të merr vendime për LDK-në”, ka shkruan më tej kreu i LDK-së, Mustafa.

Ai ka thënë se LDK mëson nga votat e qytetarëve, duke shtuar se kjo parti e ka të qartë se ajo nuk është parti që shërbehet me popullizëm. Sipas tij, LDK ka një histori të pasur të një partie prijëse shtetformuese.

“Rrjedhimisht, as votat e bazuara në popullizëm nuk e ndikojnë vendimmarrjen në LDK”, ka vazhduar ai.

“Synimet tona janë afatgjata, kurse efektet e popullizmit janë afatshkurtëra, ato u shërbejnë individëve por jo edhe vendit dhe LDK-së”, ka përfunduar Mustafa./Insajderi.com