Kryetari në dorëheqje i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se mbledhja e Kuvendit do të mbahet duke respektuar tërësisht masat anti-COVID, duke mos u përshëndetur as me duar, transmeton Insajderi.
Kuvendi i LDK- së do të mbahet të dielen më 14 mars nga ora 10:00 në “Hotel Emerald”, ku do të zgjidhet kryetari i partisë.
Mustafa u shpreh se kanë për të respektuar masat ashtu si janë përcaktuar nga Qeveria e Kosovës si dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Ai tha se po ashtu kjo i’u është bërë me dije të gjithë delegatëve, nëpër ftesat të cilat i kanë marrë.
“Në ftesë ua kemi bërë me dije delegatëve se do të respektohen masat anti-COVID. Kjo, sa jam i informuar, nënkupton matjen e temperaturës para se të hyjnë në sallë, dezinfektimin e duarve, bartjen e maskave, distancën nga njëri-tjetri, mos përshëndetjen me duar. Po ashtu edhe dezinfektimin e plotë të sallës”, tha ai për Telegrafin.
Pas zgjedhjeve të fundit të 14 shkurtit kjo parti u rendit e treta me radhë me 15 mandate të fituara në Parlamentin e Kosovës, e përbërë prej 120 deputetëve, i cili rezultat jo i mirë për LDK-në, bëri që kryetari i saj Isa Mustafa të paralaajmërojë dorëheqje.
Ndërsa, deri më tani për kryetar të LDK-së kanë shpall kandidimin, nënkryetari i saj i deritashëm Lutfi Haziri, anëtari i kryesisë Lumir Abdixhiku, Anton Quni- ministër në detyrë i FSK-së dhe Besian Mustafa – ministër në detyrë i Bujqësisë, si dhe zëdhënës i kësaj partie. /Insajderi.com