Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i ka bërë thirrje presidentes Vjosa Osmani, të mbledhje Këshillin e Sigurisë pas situatës së krijuar në veri të vendit.
Kjo pasi Mustafa thotë se “situata në veri është serioze dhe e rrezikshme”.
Ndaj, shton se është sjellje joserioze dhe e pafalshme që krerët e shtetit po dërgojnë mesazhe prej vendeve të tjera. Në një situatë të tillë sipas Mustafës, ata do të duhej të ishin në Kosovë.
Mëngjesin e së shtunës në Komunën e Zubin Potokut është djegur ndërtesa e Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve, ndërsa ajo në Zveçan është sulmuar.
Incidentet kanë ndodhur në ditën e gjashtë të protestës nga serbët e Kosovës në veri, të cilët po kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin me targat e veturave nga Serbia.
Tash e tutje veturat me targa serbe kur futen në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme RKS në çdo pikë kufitare. Qeveria e Serbisë ka mbi 10 vjet që aplikon këtë masë për targat e Republikës së Kosovës./Insajderi.com