
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka kritikuar partinë e cila është në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, për ndarjen e rreth 11 milionë eurove për pagesën e energjisë në veri, njofton Insajderi.
Në një postim në Facebook, Mustafa ka shkruar se dikur, ndarjen e mjeteve financiare për rrymën në veri nga VV-ja e quanin hajni, ndërsa sipas tij, sot po e quajnë patriotizëm.
“Ende asnjë euro s’kanë shpenzuar për t’i vaksinuar qytetarët, duke e varur shëndetin e 2 milion njerëzve në donacionet e organizatave. Sot, veç vet, i ndanë 11 milion euro për rrymën në veri. Dikur, këtë e quanin hajni. Sot, po e quajnë patriotizëm”, ka shkruar ai.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Listës Serbe kanë votuar të enjten pro propozimit që shteti t’i ndajë mbi 10 milionë euro për t’ua paguar rrymën serbëve në veri të Kosovës./Insajderi.com