Mustafa ia shuan shpresat Haradinajt për votën e Teuta Rugovës

Mustafa ia shuan shpresat Haradinajt për votën e Teuta Rugovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka shuar shpresën e koalicionit PANA se do ta ketë votën e deputetes Teuta Rugova.

“Koalicioni i PDK-së nuk e mori edhe votën e shumëpritur të deputetes Rugova. Vota e saj i takon partisë së Ibrahim Rugovës. Jo atyre që punojnë me logjikë të SHIK-ut, tregtarëve, pazargjijve e tabutgjijve”, ka shkruar Mustafa.

Ai u mburr me faktin se asnjë votë e LDK-së dhe Alternativës nuk shkoi për Koalicionin që ai e quajti Koalicioni i PDK-së.

“Sot, asnjë votë e LDK-së dhe Alternativës nuk i shkoi Koalicionit të PDK-së. Ne dëshmuam zotimin tonë se nuk bëhemi me ata që rrënuan qeverisjen me shumicë shqiptare, për ta shndërruar Kosovën në varësi nga votat që dirigjohen nga Serbia”, ka shkruar Mustafa.

Më pas ka pasur edhe një porosi për koalicionin PANA.

“Në qoftë se qeverisin me logjikën si i kanë konstruktuar koalicionet, frikësohem se më shumë nga koalicionistët e PAN-it do të kenë zyret në qelitë e burgjeve të Kosovës, sesa në Parlament dhe në Qeveri. Disa nuk e kanë marrë vesh se kohët kanë ndryshuar.”, ka thënë Mustafa. /Insajderi.com