
Kryeministri Isa Mustafa, që njëherësh është edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kishte ftuar njerëzit që të merrnin pjesë në një akademi përkujtimore për 11 vjetorin e vdekjes së presidenti Ibrahim Rugova.
Por, të shtunën, Mustafa ka munguar në të gjitha aktivitetet e organizuara për këtë qëllim, meqë ka shkuar në një vizitë private jashtë vendit.
Bajram Gecaj, këshilltar i Mustafës, i ka konfirmuar Insajderit se kryeministri ka qenë jashtë vendit për një vizitë private, por duke mos dhënë detaje të tjera lidhur me qëllimin e vizitës.
Ish-presidenti Rugova ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2016. Megjithëse kanë kaluar vite që nga vdekja e tij, udhëheqësit e LDK-së vazhdojnë të thirren në emër të tij dhe një gjë e tillë intensifikohet sidomos gjatë kohës së fushatave elektorale.
Për shkak të mungesës në Akademinë përkujtimore, Mustafa ka shkruar një postim në Facebook, duke thënë se Rugova ka qenë “arkitekt i pavarësisë, lider vizionar, personalitet frymëzues, të cilit s’ia dëgjoi kurrë askush një fjalë të keqe.”
Mungesën e kryeministrit Mustafa në ceremoni e ka kritikuar ish-kryetari i Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, Samir Krasniqi. Sipas tij, mungesa e Mustaffës arsyetohet vetëm nëse ai ka qenë i sëmurë.
“Ju pyesni, po Isa Mustafa ishte aty? Jo nuk ishte! Unë mendova se mungesa e tij do të arsyetohej vetëm me gjendjen shëndetësore por moderatorja diku kah mesi si në heshtje na dërgoi të fala nga kryetari i LDK-së i cili nuk mund të ishte i pranishëm pasi që ishte në një rrugëtim! Jo, jo, nuk është arsyetim ky!”, është shprehur Krasniqi. /Insajderi.com