Mustafa konfirmon se është pjesë e grupit të ekspertëve për dialogun Kosovë-Serbi

Mustafa konfirmon se është pjesë e grupit të ekspertëve për dialogun Kosovë-Serbi

Profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa, ka njoftuar se është i angazhuar në grupin e ekspertëve të Kosovës për dialogun me Serbinë, transmeton Insajderi.

Ai thotë se sa i përket rolit të tij në këtë grup, nuk ka asgjë të re, meqë në qeverinë e kaluar ishte i angazhuar si ekspert këshilldhënës, derisa bashkëpunimi ka vazhduar edhe me qeverinë e re.

“Nuk ka asgjë të re këtu. Kam qenë në një rol të eksperti këshillëdhënës edhe gjatë qeverisë së kaluar kur koordinator ka qenë Skënder Hyseni. Ky bashkëpunim ka vazhduar edhe me qeverinë e re”, ka thënë Mustafa në “Edicionin Special” të Klan Kosovës.

“Nuk mund të mos i ofroj shërbimet e mia kur është çështja për negociatat me Serbinë. Grupi i Ballkanit është realizator teknik, por puna e ekspertëve është e lidhur me qeverinë”, është shprehur ai.

Mustafa thotë se është i angazhuar më shumë për ta ndihmuar ekipin rreth fushës së ekonomisë.

“Do të punojmë si ekip. Shoshitim gjëra dhe japim mendime dhe propozime për qeverinë. Bashkë me kolegun Robert Muharremi do të jem më i koncentruar në ekonomi. Kemi pasë 2-3 deri tash me Zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi”. /Insajderi.com