Mustafa: Kosova është vendi me privatizimin më të madh në rajon

Mustafa: Kosova është vendi me privatizimin më të madh në rajon

Autori i hulumtimit të titulluar: “Politika pensionale e Kosovës”, Artan Mustafa ka thënë sot se Kosova në krahasim me vendet e tjera e ka privatizimin më të madh në rajon.

Në hulumtimin e Mustafës të prezantuar sot në Prishtinë, po ashtu thuhet se “është vetëm mit prezenca në diskursin kosovar e bindjes se ekziston diku një fond i grabitur pensional në Serbi në kuptim të të hollave të grumbulluara”.

Analisti Mustafa thotë se politika pensionale e Kosovës paraluftës së fundit të viteve 1998/99, nuk ka pasur qëllim që të grumbullojë fonde.

“Ndonëse ka mundur të ketë ndonjë kursim bankar të BVI-së të grabitur bashkë me kursimet tjera të kosovarëve në banka, politika pensionale e atëhershme nuk ka pasur për qëllim që të grumbullojë fonde dhe t’i investojë ato në tregjet financiare”, thuhet në hulumtimin e Mustafës, të titulluar: “Politika pensionale e Kosovës”.

Ai ka thënë se “kontributet aktuale pensionale janë shfrytëzuar për të paguar pensionet aktuale dhe janë investuar në projekte të Këshillit Ekzekutiv (qeverisë) së Kosovës dhe të tjera”. /Insajderi.com