Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se marrëveshja e qeverisë për demarkacion me Malin e Zi duhet të pranohet edhe nga opozita, pasi siç ka thënë ai, për demarkacionin qeveria ka ofruar argumente të bollshme.
Sipas Mustafës, qytetarët e Kosovës duhet t[i besojnë edhe Departamentit të Shtetit të SHBA-së, të cilët kanë analizuar gjendjen dhe kanë dalë në përfundim se kufijtë e Kosovës janë në suaza të atyre që është njohur Pavarësia e Kosovës.
“Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara, pasi ka analizuar gjendjen, ka deklaruar se kufijtë janë në suaza të atyre që është njohur pavarësia e Republikës së Kosovës. Në të gjitha rastet qytetarët e Kosovës u kanë besuar SHBA-ve; ato na u gjetën në momentet më të vështira kur ishte rreziku të zhbëhet populli ynë; shtrohet pyetja pse sot dikush të mos u besoj?!”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se edhe Komisioni Ndërkombëtar për rishikimin e demarkacionit me Malin e Zi, i themeluar nga ish-presidentja Atifete Jahjaga, ka dalë në përfundim se Kosova nuk humb territor nga marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi.
“Qeveria dhe institucionet e shtetit kanë bërë përpjekje që në të gjitha kundërshtimet e opozitës për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi të bëjë edhe një hap për të ofruar argumente se Kosova nuk po humb territor. Nga Presidentja Jahjaga është themeluar Komisioni Ndërkombëtar i cili ka përfunduar se kufijtë me Malin e Zi janë ata që kanë qenë edhe më parë, se nuk ka ndryshim të vijës kufitare”, është shprehur kryeministri kosovar.
Mustafa ka deklaruar se “problemet e vendit nuk zgjidhen duke u pozicionuar në istikame politike, as duke ndjellë gaz lotsjellës në Kuvend.”
Kryeministri kosovar ka kritikuar opozitën dhe aksionet e saj me gazin lotsjellës. Ka thënë se “gazin mund t’ia hedhim vetes tonë, sikurse edhe bllokimin, por kufirin nuk e ndryshojmë as me njërën e as me tjetrën.”
“Kufiri përcaktohet me argument, jo me pozicionime politike e as me gaz lotsjellës të cilin dikush po e ndjell. Prandaj duhet të jemi të ndërgjegjshëm se kemi të bëjmë me interesin e qytetarëve tanë, të të gjithë vendit. Me shënimin e vijës kufitare nuk do të lejohet të humb askush tokë por as nuk do ti epet askujt tokë, të cilën nuk e ka administruar Kosova në kohën kur ka shpallur pavarësinë. Është Deklarata e Pavarësisë ajo që rregullon territorin që përkufizon Kosovën”, u shpreh Mustafa.
Mustafa ka thënë se çështja e demarkacionit po mban të izoluar edhe qytetarët e Kosovës, me mos-liberalizimin e vizave.
“Zgjidhja më e keqe dhe më e dëmshme është ti mbajmë qytetarët e izoluar. Kjo nuk mund të arsyetohet me asnjë kauzë politike. Nuk besoj se as qytetarët e Rugovës të cilëve, sikurse edhe tërë Kosovës, u janë bërë padrejtësi historike se e dëshirojnë këtë izolim”, përfundoi kryeministri Mustafa. /Insajderi.com