Mustafa lajmërohet për herë të parë pas kthimit nga Gjermania

Mustafa lajmërohet për herë të parë pas kthimit nga Gjermania

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është lajmëruar për herë të parë përmes një shkrimi në Facebook, pas kthimit nga Gjermania ku ka qëndruar muajt e fundit në një vizitë mjekësore.

Ish-kryeministri i Kosovës, Mustafa ka thënë se gjatë ditës së sotme ka zhvilluar takime me tre nënkryetarët e LDK-së si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm dhe Shefin e Grupit Parlamentar të kësaj partie.

Ai ka thënë se gjatë këtyre bisedave është diskutuar për forcimin e LDK-së gjatë proceseve aktuale.

“Sot, gjatë ditës, pata takim me nënkryetarët e LDK-së, z. Agim Veliu, z. Lutfi Haziri dhe z. Haki Rugova.  Biseduam për shumë çështje të zhvillimeve në LDK, për aktivitetet në terren dhe forcimin e rolit prijës të LDK-së në proceset aktuale në Kosovë”, ka shkruar ai.

“Nënkryetarët e LDK-së kanë luajtur një rol të rëndësishëm gjatë periudhës sa isha në rehabilitim shëndetësor jashtë vendit dhe vazhdojnë me këto aktivitete, ndërkaq po forcohet uniteti brenda LDK-së dhe organeve të LDK-së”, ka shkruar Mustafa në Faecebook.

Ai po ashtu ka treguar se do t’i duhet që edhe për një periudhë t’i përkushtohet rehabilitimit fizioterapik në Kosovë.

“Unë edhe për një periudhe do të kem nevojë t’i përkushtohem rehabilitimit fizioterapik në Kosovë. Kam takuar, poashtu, edhe Sekretarin e Përgjithshëm të LDK-së, z. Ismet Beqiri si dhe kryetarin e Grupit Parlamentar të LDK-së, prof. Avdullah Hotin, me të cilin kemi biseduar për proceset aktuale në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar Mustafa./Insajderi.com