Mustafa: LDK fton VV si parti e parë ka përgjegjësi për të arritur sa më shpejt marrëveshjen

Mustafa: LDK fton VV si parti e parë ka përgjegjësi për të arritur sa më shpejt marrëveshjen

“LDK-ja fton Lëvizjen Vetëvendosje, si parti e parë dhe që ka përgjegjësinë për të formuar institucionet e reja, që të veprojë shpejt dhe me vendosmëri për të arritur marrëveshjen me LDK-në”, ka deklaruar Besian Mustafa, zëdhënës i Lidhjes Demokratike të Kosovës pas mbledhjes së kryesisë.

Mustafa u shpreh se kjo parti shpreh vullnet për marrëveshje politike me VV që do të reflektonte në tërësi me zgjedhjet e parakohshme nacionale të 6 tetorit.

“Në mbledhjen e mbajtur sot, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës trajtoi situatën politike pas mandatimit nga ana e Presidentit të kandidatit për Kryeministër. LDK-ja vlerëson që vendi ndodhet në një situatë të rëndësishme politike, meqë tashmë implementimi i vullnetit politik të qytetarëve, shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, në bazë të dispozitave kushtetuese, është i afatizuar.
LDK-ja, edhe një herë, shpreh vullnetin për marrëveshje politike të balancuar me Lëvizjen Vetëvendosje, që do të reflektonte në tërësi rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka shtuar se kryesia e LDK-së konsideron që marrëveshja e propozuar nga Ekipi negociues i LDK-së, e mbështetur në orientimet e Këshillit të Përgjithshëm, e reflekton në tërësi rezultatin e zgjedhjeve, garanton përfaqësim dhe përgjegjësi të balancuar, që janë të domosdoshme për funksionimin e institucioneve dhe për demokracinë në vend.

Kjo thirrje e LDK-së vjen menjëherë pas mandatimit të Albin Kurtit nga ana e presidentit Hashim Thaçi për formimin e qeverisë.Ligjërisht, Albin Kurti ka kohë 15 ditë nga dita e djeshme që të propozojë kabinetin qeveritar për votim në Kuvendin e Republikës së Kosovës./Insajderi.com