Kryetari në dorëheqje i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se partia nuk duhet të shikohet në pasqyrën e Lëvizjes Vetëvendosje apo Partis Demokratike të Kosovës.
Mustafa u shpreh në një prononcim për Telegrafin se, kjo parti duhet të mbetet e qendrës së djathtë, konservatore dhe e të gjitha gjeneratave si dhe një shembull unik i shtetëndërtimit.
“Do të luftoj për përkrahje duke e ruajtur fundamentin e saj. Jam shumë i bindur se do të rikthehet fuqishëm me besim edhe më të madh qytetar”, u shpreh Mustafa.
LDK të dielën më 14 mars, do të mbajë Kuvendin Zgjedhor për të zgjedhur kryetarin e ri dhe organet tjera të partisë.
Në garë deri tani janë katër kandidatë: Lutfi Haziri, Lumir Adbixhiku, Anton Quni dhe Besian Mustafa.
Ky i fundit kandidaturën e tij e bëri të ditur të mërkurën përmes një postimi në Facebook.
Duke komentuar kandidaturat e fundit për të parin e LDK-së, Mustafa, ka thënë se, Besian Mustafa kandidaturën e tij nuk e ka adresuar në organet e partisë, por në media.
“Janë tre vetë, të cilët në organet e LDK-së kanë paralajmëruar se do të paraqesin kandidaturat e tyre për Kryetar. Po ashtu lexova dje edhe për një paralajmërim, i cili nuk u është adresuar organeve të LDK-së, por mediave. Sidoqoftë kandidaturat paraqiten në Kuvend, përmes Komisionit Kandidues”. /Insajderi.com