Mustafa: Masat ekonomike të Qeverisë dogmatike dhe dorështrënguara

Aftësia e Qeverisë Kurti për veprim gjatë pandemisë është kufizuar ligjërisht në dy dimensione kryesore. Së pari, Qeveria ka hezituar të mbështes masat e jashtëzakonshme duke u frikësuar se do të ketë si pasojë më pak përgjegjësi në menaxhimin e krizës. Së dyti, masat ekonomike emergjente të Qeverisë mund të kërkojnë hapje rrugë përmes Parlametit, çfarë është vështirësuar për shkak të mocionit.

Mustafa: Masat ekonomike të Qeverisë dogmatike dhe dorështrënguara

Artan Mustafa, ligjërues i politikës sociale dhe sociologjisë politike, ka thënë se Qeveria ka krijuar masa për të subvencionuar punëdhënësit e prekur nga kriza dhe për të kompensuar të papunësuarit që deklarohen se jetojnë në familje pa të hyra nga puna (deri në 130 Euro).

“Mirëpo kriteret e shumta dhe madje edhe mungesa e njohurisë (literacy), do të parandalojnë shumë njerëz të marrin beneficionet. Dhe – mbi të gjitha – shuma është jashtëzakonisht e ulët, ndoshta 25 deri në 30 herë më e ulët se p.sh. të ardhurat mujore të familjes së Ministrit të Financave dhe Transfereve”.

Mustafa thotë se gjatë dy dekadave të kaluara, Qeveria e Kosovës nuk ka qenë realisht shumë e interesuar për atë se çfarë ndodhë në tregun e punës për shkak se buxheti i shtetit mbushet deri në 85% nga taksat në konsum.

“Ky interesim i vogël qeveritar (që dëshmohet edhe me numrin e vogël të inspektorëve të punës dhe rishikimin e rrallë të ligjeve të punës) për të luftuar informalitetin dhe mungesa e sigurimeve cilësore sociale publike (që do të shërbenin si insentiva racionale për deklarim për punëtorët), janë disa nga faktorët që shpjegojnë përse kemi ekonomi të lartë të zezë e që llogaritet se përfshin diku 100,000 punëtorë”.

“Ekonomia joformale dhe punëtorët me aftësi të vogla të punës, pra pjesa më e pafuqishme e punëtorëve që mund të rrezikohen nga kriza me largim nga puna, do ta ndjejë më së shumti shtrëngimin ekonomik. Tani, duke qenë se edhe Qeveria është përgjegjëse për informalitetin, nuk mund t’i dënojë familjet përkatëse”.

Mustafa ka sugjeruar Qeverinë e Kosovës se duhet të ofrojë “Pagën e Jetesës”.

“Paga e Jetesës do të ofronte mbrojtje më gjeneroze dhe më adekuate së paku gjatë kësaj kohe për familjet me më së shumti nevojë për të dhe do të ishte shumë më thjeshtë e aplikueshme dhe më lehtë e menaxhueshme. Ndërsa masat dorështrënguara të qeverisë duken joproporcionale edhe për shkakun se pagat e sektorit publik – që financohen relaicionalisht më shumë nga taksat e të varfërve e që përbën atë që njihet si “ridistribuim pervers” – nuk preken në asnjë mënyrë pavarësisht se aktiviteti në punë është pezulluar ose reduktuar”.

Ligjëruesi i politikës sociale ka folur më tej për Pakon Emergjente Fiskale të nxjerrë nga Qeveria.

“Ministri i Financave dhe Transfereve jep përshtypjen se ka ekspertizë në fushën e politikave fiskale, jep përshtypjen se ka vetëbesim të lartë në veprimet e tij, dhe ka konsultuar disa nga akterët socialë, që janë të gjitha aspekte të mirëseardhura. Megjithatë, duket se masat qeveritare dhe veprimet e ministrit ndikohen nga shkolla konservative neo-liberale ekonomike dhe kanë dështuar të marrin parasysh përspektiva dhe zëra tjerë relevantë. Ministri (për shembull në intervistën më datën 8 prill 2020 në emisionin “Desku” të KohaVisionit dhe në konferencën për shtyp më datën 14 prill 2020) është deklaruar se Banka Botërore, IMF-i dhe institucione tjera të ngjashme kanë vlerësuar shumë pozitivisht masat e qeverisë në krahasim me rajonin, se prandaj janë të gatshme të lëshojnë kredi për Kosovën, dhe e ka përdorur këtë vlerësim për të diskualifikuar kritikat dhe alternativat e opozitës”.

“Fillimisht, është paradoksale që një ministri kyçe e drejtuar nga LV-ja, parti që provokoi mocionin e qeverisë duke mos bashkëpunuar me Qeverinë e SHBA-së, përdor mbështetjen e këtyre organizatave ose “konsensusit të Washingtonit” si kriter të vetëvlerësimit. Por më e rëndësishmja është të kuptohet përse këto organizata, në veçanti IMF-i, kanë pasur këtë opinion mbështetës ndaj masave të qeverisë? Një arsye e rëndësishme qëndron te logjika e masave të qeverisë të cilat, ashtu sikurse edhe programi qeveritar, ndjekin me rigorozitet logjikën e politikës së mbrojtjes sociale të instaluar pas luftës nga po këto organizata ndërlombëtare”.

“Kjo politikë ofron një prag të ultë të mbështetjes (safety-net) publike, të koncentruar në mbrojtje të popullatës nga varfëria ekstreme, ndërsa pret që shumica e mirëqenies të krijohet në treg. Ky model i mbrojtjes sociale kudo që aplikohet njihet për vendosje të shpeshtë testeve të nevojës (means testing) dhe kritereve të ndërlikuara të cilat efektivisht çojnë në shpenzime të përgjithshme të vogla dhe janë më së paku efektive në luftimin e varfërisë në krahasim me strategjitë tjera për reduktimin e varfërisë dhe pabarazisë”.

Mustafa thotë se pako e propozuar nga Qeveria nuk do ta parandojë thellimin e varfërisë.

“Kështu do të ndodhë edhe me qasjen dorështrënguar të Qeverisë Kurti: kriteret e shumta (p.sh. e drejta kompensim të punëtorit të ri nëse i jepet kontratë njëvjeçare, e drejta e të papunëve për aplikim nëse janë të lajmëruar në Agjencisë e Punësimit, obligimet që të shtohen dokumente të ndryshme etj., etj.) dhe shumat e vogla, do të rezultojnë me numër të vogël të përfituesve në fund, shumë të vogël të shpenzimit të përgjithshëm, dhe nuk do ta parandalojnë thellimin e varfërisë”.

“Për pasojë, një qeveri e ardhur me premtime ndër të tjera edhe progresive, me masat e saj, nuk do të favorizojë sa ka mundur interesat e 50-qindëshit më të varfër të popullatës pa rrezikuar qëndrueshmërinë financiare. Në përgjithësi masat e Qeverisë janë qasje dogamtike të qeverive shumë konservatore, janë shumë pak dekomodifikuese, dhe e trajtojnë gjendjen e sotme si të ishtë gatise normale. Përkundrazi, vendet që aplikojnë safety-net të ulët, që ndjekin modelin liberal të shtetit të mirëqenies, të gjitha kanë marrë masat më radikale të mbrotjes gjatë pandemisë pikërisht duke e ditur që pragu i zakonshëm është shumë i ulët si p.sh. Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara, Hong Kong-u, Zelanda e Re etj”.

“Përveç kësaj, shpesh mungojnë shumë informata të nevojshme për aplikantët, masat e qeverisë nuk janë gjithëpërfshirëse ngase nuk kanë trajtuar tema tjera si p.sh. sjelljet e diskutueshme në sigurimet private në treg, nuk është dëgjuar sa duhet opozita, nuk jepen informacione më të detajuara në lidhje me kreditë ndërkombëtare, etj”.

Ai thotë se aftësia e Qeverisë Kurti për veprim gjatë pandemisë është kufizuar ligjërisht në dy dimensione kryesore. “Së pari, Qeveria ka hezituar të mbështes masat e jashtëzakonshme duke u frikësuar se do të ketë si pasojë më pak përgjegjësi në menaxhimin e krizës. Së dyti, masat ekonomike emergjente të Qeverisë mund të kërkojnë hapje rrugë përmes Parlametit, çfarë është vështirësuar për shkak të mocionit”.

“Të dy këto rrethana kufizojnë mundësitë e qeverisë që të merret me menaxhimin e suksesshëm të krizës dhe ato edhe një herë ngrisin nevojën e ndonjë marrëveshje ose hapje rrugë për dalje nga kriza. Qeveria Kurti ka pasur legjitimitetin qytetar të fituar me vota, mirëpo është duke mbërritur kufijtë e rrezikimit të mirëqenies qytetare dhe sigurisë publike në këtë kohë”.

Mustafa po ashtu thotë se “është mirë që Qeveria ka hapur llogari publike për aq sa është brenda ligjit: fondet do të jenë transparente dhe solidariteti anonim”.

“Mirëpo, nuk mund të pritet mbështetje e diasporës sikurse gjatë viteve 90-të për shkak se tani “distanca sociale” ndërmjet vendlindjes dhe diasporës është rritur dhe sidomos ngaqë kriza ekonomike në perëndim do ta prekë (sikur më 2008) shtresën më të ulët të punëtorëve, ku shpesh bën pjesë diaspora jonë. Zgjidhjet mbi të gjitha duhet t’i gjejmë brenda”.

Artan Mustafa ligjërues i politikës sociale dhe sociologjisë politike në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT).