Mustafa mesazh VV-së: Nuk keni të drejtë ta atakoni Valdete Dakën

Mustafa mesazh VV-së: Nuk keni të drejtë ta atakoni Valdete Dakën

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar pas deklaratës së mbrëmshme të zyrtarit të lartë të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i cili ka tha se kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, po vepron kundër Albin Kurtit, njofton Insajderi.

Sipas Mustafës, VV-ja nuk ka të drejtë ta atakojë Valdete Dakën, ndërsa shton se as LDK-së nuk i ka pëlqyer aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin e deputetit Etem Arifi.

Tutje, i pari i LDK-së thotë se të fajësohet Daka deri në kërcënim, se po e zbaton aktgjykimin e Kushtetueses është e padrejtë dhe e palejueshme.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin Etem Arifi, në esencë është i quditshëm, sepse më shumë përngjan në shkrim të ri të normave   kushtetuese, sesa në interpretim të normave ekzistuese, që do duhej të jetë fushëveprim i Gjykatës. Fundja vet aktgjykimi është derivat i lëndës së inicuar nga LVV.

As neve si LDK, s’na ka pëlqyar. Jo pse kufizon të drejtën e atyre që janë të dënuar për vepra penale të konkurrojnë për mandat ligjëvënësi, sepse nuk shkon edhe ligjëvënës edhe shkelës i ligjit, por për faktin se Gjykata e rrëzoi Parlamentin!? Pak si shumë në një demokraci Parlamentare”, ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.

Ndryshe, Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka mbajtur sot një konferencë për medie, ku ka thënë se akuzat e partive politike në adresë të institucionit që drejton dhe vetë saj janë ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e pavarur me qëllim të pamundësimit të zbatimit të Kushtetutës dhe Ligjeve në fuqi./Insajderi.com