Mustafa: Në fillim të dhjetorit takohemi për postin e Presidentit

Mustafa: Në fillim të dhjetorit takohemi për postin e Presidentit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është deklaruar rreth takimit të tij të sotëm në Kuvendin e Kosovës, njofton Insajderi.

Mustafa bëri të ditur se ky takim ishte zhvilluar me deputetët e Grupit Parlamentar Gjashtë Plus, për tu marrë vesh që ky grup parlamentar të mos shuhet derisa t’i bashkëngjitet një deputet shtesë, andaj edhe janë marrë vesh të koordinohen me atë të LDK-së.

“Deputetët e Grupit Parlamentar 6+, meqenëse si duket e kanë një deputet më pak, u morëm vesh që të koordinohen me grupin tonë parlamentar sepse është edhe në rregulloren e Kuvendit që ata të vazhdojnë derisa të bashkëngjitet deputeti shtesë në mënyrë që prap të konsolidohet ky grup parlamentar”, ka thënë Mustafa.

I pyetur nëse ka ndonjë zgjidhje për çështjen e Presidentit, Mustafa tha se akoma nuk kanë biseduar me partitë tjera, por që në javën e parë të dhjetorit pritet të ketë një takim me subjektet parlamentare për të diskutuar lidhur me këtë çështje.

“Mendoj që në fillim të dhjetorit, ose javën tjetër ose dy javë më vonë të ulemi, ta organizojmë një tryezë të përbashkët me subjektet politike parlamentare, me ata që janë të gatshëm të marrin pjesë dhe të bëjnë përpjekje për të gjetur një zgjidhje, e cila sipas opinionit tonë është më mirë ta gjejmë tani sesa të shkojmë në zgjedhje dhe ta përsërisim edhe një herë situatën”.

“Në grupin tonë parlamentar nuk kemi folur asnjëherë për një emër për propozim”, ka thënë Mustafa. /Insajderi.com