Mustafa nominon njeriun e tij për ta trashëguar në postin e kryeministrit

Mustafa nominon njeriun e tij për ta trashëguar në postin e kryeministrit

Avdullah Hoti, Ministri i Financave në largim, u nominua zyrtarisht për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të 11-të qershorit.

Ky propozim nga LDK erdhi pas tërheqjes së Isa Mustafës për ta marrë kreun e ekzekutivit, pasi para disa ditësh njoftoi se do të hap rrugën për njerëz të ri.

Avdullah  Hoti, vazhdimisht ka qenë përkrah Isa Mustafës, prej vitit 2006 është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai gjatë viteve 2008-2009, ka qenë Këshilltar për Ekonomi i Kryetarit të Komunës së Prishtinës, gjatë vitit 2010-2013 ka qenë Nënkryetar i Komunës së Prishtinës. Nga viti 2010, është anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nga viti 2011, ka kryesuar Këshillin e Ekspertëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në zgjedhjet e kaluara është zgjedhur Deputet i Kuvendit, kurse me formimin e qeverisë Mustafa u caktua ministër i financave.

Hoti, ka studiuar menaxhment dhe informatikë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës gjatë viteve 1994-1998. Studimet e magjistraturës (2001-2002) dhe të doktoratës (2003-2007) për ekonomiks i ka përfunduar në Staffordshire University, Britani e Madhe.

Më 2008 është certifikuar nga Staffordshire University për metoda hulumtuese dhe mentorim të studentëve të doktoratës.