Ragmi Mustafa, kryetari i ri i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Serbi, ka thënë se pa përfshirjen e çështjes së Luginës së Preshevës nuk mund të ketë normalizim marrëdhëniesh mes Kosovës e Serbisë.
Mustafa ka thënë në Interaktiv të KTV-së se rruga për normalizim domosdo kalon përmes Preshevës. Sipas tij, duhet unitet i partive shqiptare të Kosovës dhe të gjendet një zgjidhje përfundimtare për këtë çështje. Ka thënë se nuk e beson që ideja për bashkim të Preshevës me Kosovën është e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Nuk e besoj që është ide e Thaçit. Është ambicie legjitime e qytetarëve të Luginës. Në një proces politik ku Serbia s’ka treguar vullnet politik për t’i integruar shqiptarët, kjo është dëshmia më e madhe që ne duam bashkim. S’mund të ketë normalizim pa përfshirjen e Preshevës. Rruga për normalizim duhet domosdo të kalojë përmes Luginës së Preshevës. Unë i besoj vullnetit popullor të qytetarëve. Spektri politik në Kosovë duhet të jetë unik e ta trajtojë më seriozisht këtë çështje”, ka thënë ai. “Më shumë bëhet debat kush e prezantoi dhe pse. Unë besoj përfundimisht se Kosova duhet të marrë përgjegjësinë e vet për qytetarët e Luginës. Vullneti është zyrtarizuar dhe duhet të trajtohet si i tillë. Spektri politik duhet të ketë ndjeshmërinë për qytetarët e Luginës. Jemi ndier gjithmonë si qytetarë të Kosovës”.
Sipas tij, çështja e Preshevës duhet të ndërkombëtarizohet. Mustafa ka thënë se ngritja e kësaj çështje ka ndikuar në shtim të presionit nga Serbia te qytetarët e Preshevës.
“S’ka pas kundërshtim të ashpër si në të kaluarën, por është rritur numri i forcave xhandarmërisë. Kanë filluar të bëjnë edhe kontrolle të trafikut rrugor nga njësiti special. Mediat po thonë që edhe në Paris kanë dalë njësitet speciale, por deri tash s’kemi pas ndonjë ekses apo element që prish rendin dhe qetësinë. Këto shihen si presione ndaj qytetarëve”, ka shtuar ai.
Sa i përket idesë për shkëmbim kufijsh, ka thënë se kjo i takon një niveli tjetër politik, ndërsa atyre të Preshevës u takon të shprehin bindjen e tyre për bashkim me Kosovën. E ka vlerësuar si proces historik “që shqiptarët duhet ta lexojnë drejtë”.
Për garën të cilën e fitoi të dielën, Mustafa ka thënë se ishte proces me pjekuri demokratike. Rezultatet ka thënë se do të bëhen finale më 8 nëntor.