Mustafa nuk do ta pranonte Vjosa Osmanin për presidente

Mustafa nuk do ta pranonte Vjosa Osmanin për presidente

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi se nuk do ta pranonte Vjosa Osmanin për presidente të Kosovës.

“Vjosën e kandiduam për Kryeministre me qëllime të mira, me të tilla sikurse që edhe e lidhëm koalicionin me VV. Doli se dallimet predominuan këto qëllime. Mirë që përfundoi me kohë, si martesa e paqëndrueshme. Nuk na ka mbetur shumë dashuri për kontakte, por nuk kemi as urrejtje”, tha Mustafa për Syrin.

Mustafa foli më tutje për postin e presidentit, pozitë që tashmë është e lirë pas dorëheqjes së Hashim Thaçit.

“Nuk e kemi diskutuar në mënyrë shprehimore çështjen e Presidentit në organet vendimmarrëse të LDK-së. Vlerësojmë se vendit dhe demokracisë i bën mirë një ndarje e lehtë e përgjegjësive më të larta shtetërore. Vetëvendosjes i takon pozita e Kryeparlamentarit/es sipas Kushtetutës si parti që ka dalë me një deputet më shumë se LDK në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, LDK ka Kryeministrin dhe pozita e Presidentit do t’i takonte partisë me radhë më të fuqishme në Kuvend. Por çdo gjë mund të ndryshojë me një marrëveshje të gjerë, e cila siguron pjesëmarrjen aktive të dy të tretave në votim në Parlament dhe jo vetëm vullnetin e koalicionit qeverisës apo të një pjese”, theksoi ai.

Ish-kryeministri i Kosovës, ka vlerësuar lartë Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin për gatishmërinë për t’u përballur me drejtësinë.

“Pas themelimit të Dhomave të Veçanta ka qenë e pritur se një ditë do të pasojnë aktakuzat dhe arrestimet. Nuk është ditur se kush do të jetë subjekt i kësaj gjykate dhe edhe tani nuk dihet për rastet tjera. Akti i dorëheqjes së Presidentit të vendit si pasojë e aktakuzës kundër tij dhe ballafaqimi me drejtësinë tregon për një kulturë shtetërore dhe respektim të drejtësisë. E njëjta mund të thuhet edhe për z. Veseli, Krasniqi dhe Selimi. Është e padrejtë që sot të mos gjykohen ata që ushtruan krim dhe gjenocid në Kosovë, organizuan deportim te popullsisë, vrasje e dhunimeve. UÇK veproi në mbrojtje të popullsisë dhe qytetarëve që iu ekspozuan krimeve më barbare serbe”, tha ai. /Insajderi.com