Mustafa: Nuk jam penduar për koalicionin me PDK-në

Mustafa: Nuk jam penduar për koalicionin me PDK-në

Kryeministri në largim, Isa Mustafa, ka thënë se nuk është penduar për lidhjen e koalicionit me PDK-në në vitin 2014.

“Unë nuk jam penduar për koalicionin e vitit 2014 me PDK-në. Prandaj gënjejnë ata që hapjen e rrugës për njerëz të rinj për Kryeministër dhe vendimin tim të mos kandidoj për deputet e shpjegojnë si akt moral për shkak të dështimit të koalicionit me PDK-në”, ka shkruar Mustafa në facebook.

“Për koalicionin u pendua PDK-ja dhe kryetari i saj e jo unë që respektova marrëveshjen”, ka shtuar ai.

Mustafa ka thënë se qeverinë të cilën e drejtoi, arriti suksese të jashtëzakonshme në ekonomi, në punësim, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe në integrimet evropiane, duke e quajtur atë si ‘Qeveri e pa korruptuar dhe e aftë’.

“E vetmja çështje që nuk u përfundua është liberalizimi i vizave, për të cilën përgjegjësinë e kanë ata që e kundërshtuan demarkacionin me Malin e Zi. Ata i lanë qytetarët pa liberalizim!”, ka shkruar më tej kryeministri Mustafa.

“Personalisht kam vlerësuar se kandidati për Kryeministër duhet t’i prijë listës së deputetëve, prandaj si Kryetar i LDK-së kam konsideruar të mos garoj për deputet”, thuhet më tej aty.

“Opinionet tjera në debate televizive i konsideroj si nënshtrim para njerëzve që janë pjesë e ekipeve të koalicionit tjetër”, ka përfunduar Mustafa./Insajderi.com