Mustafa nuk pendohet për prishjen e koalicionit me VV-në: Jam i vetëdijshëm që e kemi paguar këtë

Mustafa nuk pendohet për prishjen e koalicionit me VV-në: Jam i vetëdijshëm që e kemi paguar këtë

Isa Mustafa edhe zyrtarisht është dorëhequr nga pozita e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, njofton Insajderi.

Pas dorëheqjes së tij, Mustafa është deklaruar për media, ku e përmendi edhe prishjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, për çka thotë se ndonëse e kanë paguar çmimin për këtë veprim, nuk pendohet dhe mendon se është vendim i mirë ai që zgjodhën të bëjnë.

“Posa dhashë dorëheqje nga pozita e kryetarit, dorëheqja ishte e parevokueshme, falënderova Kuvendin, anëtarësinë dhe strukturat me të cilët kam punuar. Kam besim që ky Kuvend do ta dërgojë LDK-në përpara, mbi bazat nnë të cilat është themeluar kjo parti që është cilësuar gjithmonë si parti shtetformuese e që në asnjë rast s’mund t’i mungojë skenës politike të Kosovës”, ka thënë Mustafa.

“Për vendime të mira, konsideroj që të gjitha vendimet kanë qenë të arsyeshme. Ju thashë edhe sot anëtarëve të Kuvendit që vendimi për prishjen e koalicionit me VV-në është vendim i mirë, pasi që kemi zgjedhur që të jemi partnerë strategjikë me SHBA-të, ndonëse e kemi paguar këtë për çka jam i vetëdijshëm”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa, ende nuk janë formuar komisionit verifikues, Kujtim Shala po i prinë komisioneve për trupat punuese të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. /Insajderi.com