Mustafa nxjerr detaje nga takimi i mbrëmshëm me Haradinajn

Mustafa nxjerr detaje nga takimi i mbrëmshëm me Haradinajn

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Isa Mustafa ka bërë të ditur për takimin e mbrëmshëm që ka pasur me kryeministrin Ramush Haradinaj.

“Mbrëmë prita Kryeministrin Haradinaj, me të cilin diskutuam lidhur me qëndrimet e LDK-së për dialogun me Serbinë, qëndrime këto të cilat i kemi bërë publike si Kryesi e LDK-së dhe nga takimi me kryetarët e degëve të LDK-së”, ka shkruar Mustafa.

Megjithatë, ai ka bërë të ditur se pas kthimit në Kosovë, atë e kanë vizituar edhe liderët tjerë politikë të Kosovës, madje edhe përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë.

“Pas kthimit tim në Kosovë, para tre muajsh, ku akoma jam në proces të rehabilitimit fizioterapeutik, më kanë vizituar Presidenti Thaçi, Kryeministri Haradinaj, zv.Kryeministri Limaj, zv.Kryeministri Pacolli si dhe Kryetari i VV-së, z.Kurti”, ka shkruar Mustafa.

“Jam takuar me Ambasadorin e SHBA-së, Greg Delawie, me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ruairí O’Connell, më ka vizituar Ambasadorja e BE-së, znj.Apostolova dhe Shefja e EULEX-it, znj.Papadopoulou. Të gjithëve u jam falenderues për kujdesin dhe korrektësinë e treguar”, ka shtuar ai.

Lideri i LDK-së më tej ka shkruar se kjo parti “ka dhënë kontributin e saj në të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës dhe këtë kontribut po e jep edhe tani si subjekt opozitar parlamentar”.

“LDK është unike në çështjet madhore siç është edhe pozicionimi i saj lidhur me fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë”, ka precizuar tutje Mustafa.

“Të gjitha qëndrimet e LDK-së janë të koordinuara me Kryesinë e LDK-së, me nënkryetarët e LDK-së, me sekretarin e përgjithshëm, me shefin e Grupit Parlamentar, me nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e LDK-së dhe me kryetarët e degëve të LDK-së”, ka përfunduar ai./Insajderi.com