Mustafa optimist se kryetar i Vushtrrisë do të bëhet njeriu i dyshuar për kopjim në provimin e jurispodencës

Mustafa optimist se kryetar i Vushtrrisë do të bëhet njeriu i dyshuar për kopjim në provimin e jurispodencës

Isa Mustafa shprehet optimist se Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i mbyllë me fitore zgjedhjet lokale në Komunën e Vushtrrisë, ku LDK ndodhet në balotazh ndaj Partisë Demokratike të Kosovës.

Kryetari i LDK-së ka folur sot për qasjen serioze të kandidatit të partisë së tij në këtë komunë, Xhafer Tahirit.

“Në takimin me Kryetarin e LDK-së në Vushtrri, dr. Hysni Gërguri, kandidatin për Kryetar të Komunës, z. Xhafer Tahiri dhe veprimtarë të LDK-së, u tha se po punohet shumë me anëtarësinë për një përmbyllje të suksesshme të këtyre zgjedhjeve. U shpreh falemderim i thellë për votën dhe punën e deritanishme dhe për qasjen shumë serioze dhe të përgatitur të Xhafer Tahirit”, ka thënë sot Mustafa.

Mirëpo, qasje serioze dyshohet se nuk kishte pasur Xhafer Tahiri në provimin e jurispodencës dy vite më parë, shkruan Insajderi. Tahiri, në tetor të vitit 2015, dyshohet se ishte zënë duke kopjuar gjatë nënshtrimit të provimit të Jurispodencës.

Siç kishte raportuar Klan Kosova, Tahiri ishte përzënë nga salla, pasi që ishte kapur me telefon në dorë.

Largimin nga salla të Tahirit në atë kohë e kishte konfirmuar edhe kryetari i Komisionit për Mbajtjen e Provimit të Jurispodencës, Fejzullah Hasani, i cili kishte thënë se kishte qenë në sallë kur Tahirit iu ishte anuluar testi.

“Për shkak të numrit të madh të studentëve provimi mbahej në dy salla, unë jam thirrë nga personali i Universitetit se një kandidat në sallën tjetër po përdorte telefonin. Unë kam shkuar, ia kam marrë telefonin dhe tani nuk mundem me paragjyku me thanë se ka qenë duke kopju sepse telefoni ka qenë i kyçun”, kishte thënë Fejzullah Hasani.

“Ne i kemi thënë se provimi do të anulohet nëse dikush i thyen rregullat, siç ishte përdorimi i telefonit”, ka vazhduar më tej Hasani.

Tahiri i LDK-së është në balotazh në Komunën e Vushtrrisë, teksa kundërkandidat i tij është Ferat Idrizi nga PDK. /Insajderi.com