Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është deklaruar rreth vendimit të LDK-së që kryetar i Degës së kësaj partie në Podujevë dhe kandidat për kryetar të komunës të jetë Ekrem Hyseni.
Mustafa thotë se nuk e ka të qartë se çfarë ka ndodhur brëmë në mbledhjen e kryesisë, por që shtoi se kjo nuk i bën aspak mirë LDK-së dhe është komplikim i situatës, transmeton Insajderi.
“Nuk e kam as vet të qartë se çfarë ka ndodhur në rastin e Podujevës. Është një komplikim pa nevojë i situatës atje që nuk i bën mirë LDK-së”, ka thënë Mustafa për portalin ‘FrontOnline’.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas mbledhjes së Kryesisë, ka deklaruar se Agim Veliu nuk është shkarkuar nga pozita e kryetarit të degës së LDK-së në Podujevë, por se është vetëm kalim i kompetencave, pasi që nuk ka shprehur interesim për të rikandiduar.
“Me vendim të kryesisë, kandidati për kryetar të Podujevës nga LDK është Ekrem Hyseni. Kryesia e LDK-së i ka kaluar të gjitha kompetencat e degës dhe shtabit zgjedhor dhe të garës në Podujevë. Vendime të njëjta do të jenë pothuajse në secilën komunë. Kjo me qëllim të reformimit edhe të degëve. Kompetencat i kanë kaluar kandidatit për kryetar të komunës së Podujevës, nuk ka të bëjë me individ”, ka deklaruar Abdixhiku.
Nga ana tjetër, Agim Veliu këtë vendim e qujati ilegal dhe njoftoi se kjo marrëveshje është bërë pa pëlqimin e tij.
“Është ba një marrëveshje pa pëlqim. Kemi qenë duke diskutuar me e ba një marrëveshje të madhe e mi tejkalu të gjithat. Ata sot paskan marrë vendim ilegal, ilegjitim për mua. Është në kundërshtim me statutin e LDK-së. Nuk ka të drejtë askush pa proces me e ndryshu kryetari, me zgjedhë, shkarku ose me e ngarku. Për këtë punë është Kuvendi”, ka thënë Veliu, duke shtuar se në asnjë rrethanë nuk pajtohet me një vendim të tillë. /Insajderi.com