Mustafa: Qytetarët nuk e përkrahen thirrjen e VV-së për përmbysje

Disa orë pas tërheqjes nga Kuvendi të projektligjit të Demarkacionit me Malin e Zi, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa  është shprehur se qytetarët e Kosovës “sot treguan se duan shtet ligjor dhe jo dhunën”.

Mustafa tha se qytetarët e Kosovës nuk iu përgjigjën ftesës së Lëvizjes Vetëvendosje, pasi sipas tij, ata dëshiron përmbytjen e qeverisë.

“U dëshmua qartë se qytetarët u besojnë institucioneve të kryejnë punën e shtetit dhe jo rrugës dhe dhunës. Thirrja dhe kërcënimet Lëvizjes Vetëvendosje për përmbysje të shtetit nuk gjeti përkrahjen tuaj”, deklaroi kryeministri i Kosovës.

Mustafa premtoi se qytetarët e Kosovës shumë shpejtë do të lëvizin pa viza, por nuk tregoi nëse kjo do të bëhet tash shpejt përkundër që nuk u votua në Kuvend për demarkacion, apo pasi të ratifikohet kjo marrëveshje.

“Qeveria do të vazhdojë me agjendën e saj evropiane dhe euroatlantike. Qytetarëve do t’ua mundësojmë të udhëtojnë pa viza”, tha ai.

Projektligji për ndarjen e kufirit me Malin e Zi u tërhoq nga Kuvendi i Kosovës pasi koalicioni qeverisës nuk i kishte të garantuar numrat e mjaftueshëm për kalimin e projektligjit. /Insajderi.com