Mustafa: Ushtria e Kosovës nuk do të jetë partiake

Mustafa: Ushtria e Kosovës nuk do të jetë partiake

Dalja në publik sot e Presidentit Hashim Thaci dhe Kryeparlamentarit Kadri Veseli të cilët kanë shpalosur planet për të ecur shpejtë me transformimin e FSK-së i ka lënë shije të hidhur Isa Mustafës.

Ai ka bërë një reagim në Facebook ku ka thënë se ushtria e Kosovës nuk do të jetë partiake.

“Ushtria e Kosovës nuk është dhe nuk do të jetë partiake. Ministri i FSK-së, z. Haki Demolli ka qenë dhe është për transformimin e FSK-së në ushtri. Letra që ai e ka dërguar në adresë të Presidentit, Kryeministrit dhe Kryeparlamentarit, shpreh përgjegjësinë e tij si ministër për të njoftuar institucionet e larta shtetërore për qëndrimet dhe opinionet e partnerëve tanë strategjik lidhur me dhënien e rolit të ushtrisë FSK-së”, ka thënë kryeminstri.

Mustafa po ashtu ka folur edhe për një letër të Ministrit të FSK-së Haki Demolli i cili dje u ka dërguar një njoftim Presidentit, Kryeministrit dhe Kryeparlamentarit ku thuhet se amerikanët janë të shqetësuar me paralajmërimet për transformimin e FSK-së.

Mustafa ka thënë se Demolli vetëm ka transmetuar qëndrimin e partnerëve strategjikë për transformimin e FSK-së.

“Z. Demolli më ka njoftuar mua paraprakisht dje me bisedën me partnerët dhe unë e kam këshilluar që për të gjitha këto çështje të njoftojë edhe Presidentin dhe Kryetarin e Kuvendit. Edhe unë si Kryeministër i kam njoftuar me letrën që e kam marrë nga Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, ditën kur është mbajtur debati në Kuvendin e Kosovës lidhur me FSK-në. I konsideroj të papranueshme, të papërgjegjshme dhe tendencioze sulmet e tilla ndaj ministrit Demolli si dhe nxjerrjen e letrave zyrtare në opinion për efekte politike”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Kreu i Qeverisë i cili është edhe kryetar i LDK-së nuk ka shpalosur se çfarë qëndrimi do të mbajë ky subjekt nesër në Kryesinë e Kuvendit dhe ditën kur do të dalë për votim në Parlament.