Mustafa: Respektova ligjin, ekspertët bënë punë të mirë

Mustafa: Respektova ligjin, ekspertët bënë punë të mirë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Mustafa, ka reaguar ndaj publikimit të artikullit “Ekspertët e Riinvestit përfitojnë mijëra euro nga Qeveria e Kuvendi”.

Insajderi ka raportuar se deputeti Mustafa, me bekimin e kryeparlamentarit Kadri Veseli angazhoi gjashtë ekspertë ndërkombëtarë për të ndihmuar në hartimin e  ligjit për Trepçën. Dy prej këtyre ekspertëve janë të lidhur me Riinvestin, raportoi sot Insajderi. Angazhimi i tyre nga Kuvendi i Kosovës u bë pa shpallur konkurs apo tender publik.

Mustafa, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se me angazhimin e gjashtë ekspertëve për të ndihmuar në hartimin e ligjit për Trepçën ai vetëm e ka respektuar ligjin. Ka thënë se ekspertët që janë paguar nga shteti kanë bërë punë cilësorë.

“Ata ekspertë nuk kanë asnjë marrëdhënie pune me Riinvest dhe propozimi im që ata të bëjnë punë për Kuvend nuk përben asnjë konflikt interesi”, ka thënë Mustafa.

“Sa i përket procedurës në Komision dhe Kuvend ajo është bërë sipas rregullave në fuqi për angazhim te ekspertëve, dhe me atë rast nuk është lënduar në asnjë pikë Ligji për konfliktin e interesit. Puna e tyre ka qenë shumë cilësore dhe ka ndihmuar qëllimin për të cilin janë bërë shfrytëzimin e përvojave të avancuara për të draftuar një ligj të mirë për Trepçën”, u shpreh deputeti i LDK-së.

Madje, Muhamet Mustafa ka falënderuar dy zyrtarët më të lartë të shtetit, kryeministrin Isa Mustafa dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli, për mbështetjen e këtij projekti.

“Unë i falënderoj Kryeparlamenterin Veseli dhe Kryeministrin Mustafa për mbështetjen e këtij aktiviteti qe është provuar shumë produktive me efekte për një Ligj të shkëlqyeshëm për Trepçën”, deklaroi ai. /Insajderi.com

Ekspertët e Riinvest-it përfitojnë mijëra euro nga Kuvendi e Qeveria