Mustafa – Selimit: Kryeministrin e udhëzon Kushtetuta dhe ligjet jo liderët e partive

Mustafa – Selimit: Kryeministrin e udhëzon Kushtetuta dhe ligjet jo liderët e partive

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj ministrit të Drejtësisë, Selim Selimit, i cili tha se Kryeministri i Kosovës do të udhëzohet tani e tutje për temën e dialogut, njofton Insajderi.

Sipas Selimit, Avdullah Hotiti ia kanë lënë të lira duart në qeverisjen e brendshme. Por, tre liderët e koalicionit, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj kanë marrë rolin udhëzues për Kryeministrin sa i përket dialogut.

Me anë të një postimi në Facebook, Mustafa ishte i menjëhershëm në reagim, duke thënë se ai nuk do t’i jep udhëzime kryeministrit për negociata me Serbinë.

“Tezat, që po i proklamon Ministri i Drejtësisë, se Kryeministri do të jetë i pavarur në punët e tij të brendshme, kurse në punët e jashtme do të udhëzohet nga tre liderët politik, për mua janë ndërhyrje në përgjegjësitë kushtetuese të Kryeministrit dhe qeverisë, prandaj edhe të papranueshme”, ka shkruar ai.

Shkrimi i plotë:

Unë, si Kryetar i LDK-së nuk i jap udhëzime Kryeministrit Hoti. Unë konsultohem me Kryeministrin dhe partnerët e koalicionit për dialogun dhe për çështjet e tjera programore. Kërkoj dhe do të kërkoj të implementohet Programi  qeverisës, kurse dialogu të zhvillohet në suaza të parimeve për të cilat jemi pajtuar.

Preferoj të kemi konsultime të rregullta dhe përmbajtësore me partnerët  e koalicionit dhe me Kryeministrin, por edhe ta respektojmë Kryeministrit dhe ti besojme që ai ta kryej detyrën e tij.

Tezat, që po i proklamon Ministri i Drejtësisë, se Kryeministri do të jetë i pavarur në punët e tij të brendshme, kurse në punët e jashtme do të udhëzohet nga tre liderët politik, për mua janë ndërhyrje në përgjegjësitë kushtetuese të Kryeministrit dhe qeverisë, prandaj edhe të papranueshme.

Kryeministrin e udhëzon Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës; Qeveria dhe Kryeministri i përgjigjen Kuvendit të Kosovës. IM. /Insajderi.com