Mustafa: Sjelljet e Bulliqit degraduese dhe na kthejnë mbrapa – ta shkatërrojnë shtetin dhe komunën

Isa Mustafa është i bindur në fitoren e kandidatit të LDK-së në Podujevë. Ai ka thënë se lidhja mes partisë që udhëheqë dhe “llapjanëve” është e bazuar në besim të ndërsjellë, prandaj është e fortë dhe e qëndrueshme. Vetëvendosjen e ka quajtur thjesht të zhurmshme, ndërsa kandidatin e tyre “degradues” që “ta shkatërron komunën”.

Mustafa: Sjelljet e Bulliqit degraduese dhe na kthejnë mbrapa – ta shkatërrojnë shtetin dhe komunën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka quajtur kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqin, njeri me sjellje “degraduese” dhe nga ata “që shkatërron shtetin e komunën”.

Këto komente, përmes llogarisë në Facebook, Mustafa i bëri vetëm dy ditë para zgjedhjeve komunale në Podujevë, ku gara do jetë në mes Bulliqit e kandidatit të LDK-së, Nexhmi Rudari, njofton Insajderi.

“Llapjanët kanë ditur çdoherë të dallojnë ata që punojnë nga ata që bëjnë zhurmë”, shkruan Mustafa.

“Sjelljet dhe mentaliteti i tillë që demonstron LVV dhe kandidati i tyre për kryekomunar nuk na shërbejnë për të mirë, janë degraduese dhe na kthejnë mbrapa”.

Mustafa ka shtuar se Bulliqi është nga “ata që ndërrojnë qëndrime” dhe gjithashtu e ka thumbuar duke i thënë që ka kërkuar “azil te kundërshtarët politik”.

Prandaj, sipas Mustafës, Bulliqi “nuk meriton besim”, sepse “ta shkatërron shtetin, komunën dhe ekonominë”.

Udhëheqësi i LDK-së është shprehur i bindur në suksesin e zgjedhjeve të pasdyditshme.

“Podujeva ka treguar gjithherë besim për LDK-në , kurse LDK u ka qëndruar besnike qytetarëve të Llapit dhe të Kosovës”.

“Ju ftoj për një fitore të radhës së LDK-së”./Insajderi.com