Kryetari në dorëheqje i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka folur për media pas mbledhjes me kryetarët e degëve të kësaj part" />

Mustafa: S’kam të preferuar për kryetar të ri të LDK-së

Mustafa: S’kam të preferuar për kryetar të ri të LDK-së

Kryetari në dorëheqje i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka folur për media pas mbledhjes me kryetarët e degëve të kësaj partie.

Ai ka treguar se mbledhja e sotme ka qenë në funksion të organizimit të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës i cili do të mbahet me 14 mars, shkruan lajmi.net.

“Pata takimin me kryetar të degëve të LDK-së dhe diskutimi ka qenë për mbajtjen e Kuvendit për zgjedhjen e kryetarëve të LDK-së dhe data është 14 marsi. Tek ne degët i dërgojnë delegatët e Kuvendit, ata që janë zgjedhur në Kuvendet e kaluara sepse ky nuk është Kuvend qëndror i LDK-së.”, tha Mustafa.

Më tutje ai tha se nuk është diskutuar për kandidatura dhe se të njëjtat do t’i paraqiten Kuvendit dhe komisionit përgjegjës dhe se si kryetar dhe kryesi e LDK-së nuk duan të interferojnë në kandidatura.

“Nuk është diskutuar sepse nuk ka qenë qëllimi të diskutohet, ne çështjen e kandidatëve e lëmë çështje të Kuvendit, ka të drejtë edhe ditën që mbahet Kuvendi të propozohen nga Komisioni dhe ne nuk duam të interferojmë tek emrat. Unë si kryetar i LDK-së akoma jam përgjegjës dhe i interesuar që të mbahet një Kuvend i rregullt dhe të zbatohet në tërësi statuti i LDK-së dhe që kryetari të zgjidhet nga delegatët nga 355 sa i ka Kuvendi ynë.”, tha ai.

Tutje i pyetur nëse ka kandidatura zyrtare, Mustafa ka mohuar një gjë të tillë.

“Nuk ka kandidatura zyrtare, ato ndodhin në Kuvend edhe pse ka pasur disa deklarime televizive, por kandidaturat zyrtare i presim në Kuvend dhe nuk dëshirojmë as kryesia e as unë si kryetar të interferojmë sepse duam ta lëmë që Kuvendi të vendos”, tha Mustafa.

Ai gjithashtu ka refuzuar të komentojë mbi numrin e votave të fituara nga ish-kandidatja dhe nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani si pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje.

“Unë nuk komentoj tani fitoret individuale, është çështje e qytetarëve të cilët kanë votuar dhe unë e respektoj çdo votë të qytetarëve dhe për këtë arsye kemi pranuar edhe rezultatet e zgjedhjeve”, tha Mustafa.

Mustafa gjithashtu ka thënë se nuk ka preferenca për kryetarin e ri të LDK-së por sipas tij është e rëndësishme që ai t’i mbrojë vlerat e partisë.

“S’ka preferenca. Me çfarë të drejte unë i jap vetës ose i dha preferencë dikujt, preferenca i mbetet Kuvendit dhe nuk është e mirë të insistoni për emra konkret dhe pikëpamjet e mija, sepse preferenca ime është që në krye të LDK-së të vijë dikush që i mbron interesat e LDK-së, emrin ia ngjet Kuvendi dhe jo unë.”, tha Mustafa./Insajderi.com