“Nuk e njoh ndonjë qeveri apo kryeministër që i ka mbijetuar shkeljeve të marrëveshjeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mospërfilljes së shtetit amerikan”, transmeton Insajderi.
Kështu deklaroi të hënën ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, duke komentuar deklaratën e Përparim Kryeziut, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, i cili ditë më parë tha se marrëveshjen e 4 shtatorit e nënshkruar në Washington mes kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq është jolegjitime.
Mustafa për Klankosova.tv tha se kjo marrëveshje do të zbatohet pavarësisht se çka deklaron një zëdhënës i cili flet në emër të Kurtit.
“Duhet të theksohet se marrëveshja është bërë shtet me shtet, Kryeministri i Kosovës me Presidentin e SHBA-së. Është marrëveshja e parë dhe më e rëndësishmja që e ka bërë Kosova në këtë nivel të lartë”./Insajderi.com