Mustafa: Sondazhet janë manipulim, terreni flet ndryshe

Mustafa: Sondazhet janë manipulim, terreni flet ndryshe

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i ka quajtur të manipuluara sondazhet për zgjedhjet e 14 shkurtit të paraqitura në studio televizive, transmeton Insajderi.

Sipas Mustafës, këtë vit është zhvilluar një fushatë e pazakontë, teksa shtoi se përmes sondazheve është tentuar të manipulohet rezultati zgjedhor.

“Kemi një fushatë diktatoriale, pasi që nga studiot televizive po tentohet të imponohet rezultati zgjedhor. Sondazhet e kurdisura në studio televizive e kanë arritur pjesërisht efektin se dihet kush është fituese. Kjo ka ndikuar që VV-ja sot nuk del e t’ju tregoi qytetarëve programin e tyre, programin për zhvillim ekonomik, shëndetësinë… Asgjë nga këto nuk shpjegohet për qytetarët. Vetëm e di se marshojnë, por askush nuk e dinë se cili do të jetë kursi i tyre”, ka thënë ai.

Tutje, i pari i LDK-së në emisionin “Debat” të RTK-së ka thënë se informatat nga terreni tregojnë se kjo parti ka mbështetje të madhe dhe po marrin përkrahje nga qytetarët.

“Kemi besim se do të dalim mirë, kemi informata që vijnë nga terreni çdo ditë, informata të kandidatëve, kandidatit tonë Hoti, që situata është shumë e mirë dhe po hasim në përkrahje të madhe”, pohoi Mustafa./Insajderi.com