Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka kërkuar nga Gjykata Speciale që vrasjet ndaj zyrtarëve të kësaj partie të shqyrtohen, pasi siç thotë ai, është borxh ndaj drejtësisë, njofton Insajderi.
Sipas tij, Specialja nuk është themeluar me kërkesë të LDK-së.
“Unë mund të them që Gjykata Speciale nuk është themeluar as me kërkesën e LDK-së as me iniciativën e saj. Shkak për themelimin e gjykatës ka qenë një raport që Këshilli i Evropës ka provuar atëherë dhe ajo është bërë si bazament themi i kërkesës për themelimin e gjykatës”.
“Gjykata e ka një periudhë kohore gjatë të cilës ai do të trajtojë të gjitha krimet që janë bërë dhe unë besoj që në atë periudhë kohore do të duhet të shqyrtoheshin edhe vrasjet e zyrtarëve, anëtarëve të LDK-së dhe duhet të shqyrtohen të gjitha vrasjet e tjera sepse nuk mund të themi se disa vrasje janë të rëndësishme e disa të parëndësishme sepse vetë gjykata e ka rolin që në një formë të iu kthehet ose t’ia kthejmë borxhin që kemi ne ndaj viktimave që kanë rënë si objekt i sulmeve që kanë ndodhur në atë periudhë”, tha Mustafa.
Ndërsa sa i përket dialogut me Serbinë, kryetari i LDK-së tha duhet të përfundojë me njohje reciproke.
Sipas tij, ky dialog nuk mund të përfshijë në asnjë rast ndryshimin e kufijve apo shkëmbimin e territorit./Insajderi.com