Mustafa i thotë Mogherinit se duhet zbatuar marrëveshjet e arritura

Mustafa i thotë Mogherinit se duhet zbatuar marrëveshjet e arritura

Kryeministri në largim, Isa Mustafa, është takuar me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherinin, të cilën e ka siguruar se Kosova mbetet e përkushtuar të zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel.

“Vlerësojmë se nuk kemi rrugë tjetër, duhet që qytetarëve t’iu sigurojmë liberalizimin e vizave edhe po ashtu duhet t’i implementojmë marrëveshjet që i kemi arritur”, ka thënë Mustafa.

“Me këtë rast unë ndava qëndrimin që e përfaqësoj tani në krye të LDK-së, se ne do të mbesim të përkushtuar në këto procese dhe se kandidati ynë për kryeministër, po ashtu, mbetet i përkushtuar që këto procese t’i qoj përpara me Bashkimin Evropian”, ka thënë Mustafa, njofton Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media.

Mustafa, me ftesë të Mogherinit, do të marrë pjesë në darkën që shtrohet sot për liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel, ku do të diskutohet për gjendjen aktuale, perspektiven si dhe avancimin e rrugës eurointegruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor./Insajderi.com