Mustafa thotë se PDK-së do t’i bënte mirë të kalojë në opozitë

Mustafa thotë se PDK-së do t’i bënte mirë të kalojë në opozitë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Mustafa, ka thënë se nuk është koha për zgjedhje të parakohshme dhe se Kosova duhet të mësohet të krijojë një normalitet ku Qeveria kryen mandatin deri në fund.

“Ne duhet të mësohemi që të kemi një normalitet sepse ne në zgjedhje mund të shkojmë çdo herë. Por çka pas zgjedhjeve, si do të shkojë ekonomia dhe shumë gjëra tjera”, ka thënë Mustafa në një intervistë për Klan Kosovën.

Sipas tij, në Kosovë tani është koha për zgjedhje lokale dhe jo qeveritare dhe se në kushtet aktuale, zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mund të sjellin një vakuum institucional sikurse në vitin 2014.

Duke folur për qëndrueshmërinë e koalicionit LDK-PDK, Mustafa ka thënë se “divorci” mes këtyre dy partive “është dëshiruar moti prej shumëkujt dhe prej shoqërisë civile”.

Por, deputeti i LDK-së thotë se pas disa mandateve në qeveri, PDK-së do t’i bënte mirë që të shkojë në opozitë.

Ai ka lavdëruar edhe Qeverisjen aktuale nën drejtimin e Isa Mustafës, duke thënë se janë bërë reforma të shumta si dhe nuk ka pasur raste të mëdha të korrupsionit./Insajderi.com