Mustafa tregon pse LDK hoqi vijat e kuqe ndaj PDK-së

Mustafa tregon pse LDK hoqi vijat e kuqe ndaj PDK-së

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është deklaruar rreth heqjes së vijave të kuqe për Partinë Demokratike të Kosoës, njofton Insajderi.

Mustafa, thotë se vijat e kuqe ndaj PDK-së u hoqën për shkak të vështirësive për të bërë zgjidhje.

Ai ka folur edhe për aktakuzat e ngritura nga Gjykata Specialja e për çka tashmë ka nisur edhe arrestimet e para.

“Meqenëse nuk kemi biseduar nuk mund të them pranohet apo jo, por ajo çka unë kam thënë publikisht, është se vijat e kuqe ne të cilat i kemi vënë përpara ato vija të kuqe tani duhet t’i heqim edhe në situatën e tanishme por edhe kur të vijmë në zgjedhjet e ardhshme për arsye se shumë vështirë po mund të bëjmë zgjidhje, duke izoluar ose duke dhënë ndalesa të bashkëpunimit në disa subjekte politik, sidomos tani situata e cila u krijua para një kohe me paralajmërimin e aktakuzave kundër presidentit të vendit dhe kryetarit të PDK-së, na sjellë në një situatë të rëndë ku ne duhet më shumë të mendojmë për interesa të vendit sesa për të lidhemi vetëm për interesa partiake. Unë nuk dëshiroj t’i komentoj ato sepse duhet të mbesin çështje të drejtësisë. E vetmja gjë që mund të them është se ne duhet të kemi besim në drejtësi dhe të apelojmë që institucionet e drejtësisë ta bëjnë në mënyrë profesionale, në mënyrë të pandikuar dhe që ta vënë drejtësinë në vend. Unë kam besim të madh në luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në asnjë rast nuk e shoh që gjykata mund ta njollosë përmes veprimeve të saj këtë luftë”, tha Mustafa për KosovaPress.

Mustafa gjatë intervistës ka folur edhe për qëndrimet e kryeparlamentares Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e fundit ishte kandidate për kryeministre nga radhët e LDK-së. Derisa tha se e ardhmja e Osmanit në LDK varet nga ajo, kreu i këtij subjekti politik thekson se nuk e kishte pritur që ajo mos ta votojë Qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti.

“Në qoftë se dëshiron më tutje të vazhdoj në LDK e ka mundësinë e hapur të vazhdoj[…]Nuk kemi pritur që zonja Osmani që ne e kemi përkrahur, e kemi vënë në krye të listës së deputetëve në fushatë, ja kemi dhënë besimi n që të jetë kandidate për kryeministre të vendit pasi që nuk kemi fituar si LDK, unë vetë kam insistuar që ajo të marrë vendin e kryetares së Kuvendit dhe natyrisht që Lëvizja Vetëvendosje hoqi dorë që ta mbajë atë pozitë dhe ta marrim ne. Mendoj që ne çdo gjë e kemi bërë, dhe çdo gjë e kemi bërë në mënyrë shumë parimore dhe e kemi përkrahur maksimalisht. Tani në qoftë se zonja Osmani ka menduar që ka më shumë të drejtë Vetëvendosje sesa LDK është çështje e saj. Por ne kemi dallime me Vetëvendosje dhe këto dallime kanë bërë që të prishim koalicionin se të prishet koalicioni për shkak veprimeve të tyre edhe sa i përket bashkëpunimit me SHBA dhe shkarkimit ministrit tonë. Vetë e kanë pru situatën që të bie Qeveria dhe në këtë situatë ne nuk jemi pajtuar me kundërshtimin publik që ka bërë zonja Osmani qoftë për prishje të koalicionit, qoftë me mocionin në Kuvend, qoftë me votimin e Qeverisë Hoti që është qeveri e LDK-së pjesë e së cilës është Osmani”, tha ai. /Insajderi.com