Mustafa uron Xhaferin, nuk e dënon dhunën në Kuvendin Maqedonas

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook ka uruar Talat Xhaferin për zgjedhjen në postin e Kryetarit të Kuvendit në Maqedoni, mirëpo ai nuk ka dënuar dhunën e urshtruar ndaj deputetevë shqiptarë.

“Uroj zgjedhjen e z. Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë. Maqedonia është e qytetarëve të saj shqiptarë aq sa është edhe e maqedonasve dhe të tjerëve”, ka shkruar ai.

Mustafa ka shtuar se beson në konsolidimin e institucioneve demokratike në  Maqedoni.

“Kam besim se Maqedonia si shtet fqinj i Kosovës do të konsolidoj institucionet e saj demokratike duke respektuar të drejtat e barabarta për të gjithë qytetarët e saj”, shkruan ai.

Krejt në fund Mustafa ka thënë se duhet të evitohen të kqijat në ndërtimin e të ardhmes evropiane.

“Ne të gjithë në Ballkanin Perëndimor akoma po shërojmë plagët e luftës, dhunës dhe armiqësive, prandaj duhet të evitohen këto të këqija në ndërtimin e ardhmërisë tonë evropiane dhe euroatlantike”, përfundon Mustafa në postimin e tij.