Mustafa: Vetëvendosje ka histori koalicioni të fshehtë me PDK-në

Mustafa: Vetëvendosje ka histori koalicioni të fshehtë me PDK-në

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK) Isa Mustafa, ka reaguar ndaj akuzave të kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti.

Ahmeti përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se LDK-ja dhe PDK-ja janë bërë bashkë kundër Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Mirëpo këto akuza Mustafa i ka quajtur gënjeshtra publike dhe pa kripë, duke shtuar se Vetëvendosje dhe PDK, kanë histori bashkëpunimi.

Përmes një statusi në Facebook, Mustafa ka shkruar se ka me dhjetëra fakte për lidhjet e Vetëvendosjes me Partin Demokratike të Kosovës, teksa i ka përmendur dy prej tyre.

“E para, në vitin 2013 Shpendi shkoj në balotazh me 9,300 vota më pak. Vetëvendosja bëri koalicion të fshehur dhe i bashkoi votat me PDK dhe e përmbysën rezultatin”.

“E dyta në vitin 2017, Vetëvendosje u bashkua me PDK-në, Lista Serbe, AAK dhe gjithë të tjerët; u bënë bashkë dhe e rrezuan qeverinë e drejtuar nga LDK. Ata nuk duronin sukseset tona, 2 miliard buxhet, rritje ekonomike mbi 4%, çkapje të Doganave dhe ATK që i sollën buxhetit 400 milionë më shumë të hyra, 40 mijë vende të reja pune të regjistruara në Trustin e Kursimeve Pensionale, hapjen dhe luftimin e aferave të pasaportave, ZMobile, Axoc etj”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Mustafa ka vazhduar akuzat ndaj Ahmetit duke thënë se e ka kapur panikë përball qytetarëve për shkak se nuk ka përmbushur asnjë premtim.

“Me gënjeshtra publike nuk mbulohet e vërteta. I kapur nga panika përballë mediave dhe qytetarëve për mospërmbushjen e asnjë premtimi, dhe mosrealizimin e asnjë projekti, Shpendi ka lansuar armën e tij të vetme, propagandën dhe mashtrimin”, ka vazhduar tutje shkrimin Mustafa.

Po ashtu ish-kryetari i Prishtinës Mustafa ka thënë se Ahmeti ka diskriminuar qytetarët e Prishtinës.

“Besoj në kulturën politike të qytetarëve të Prishtinës. Ata nuk e vlerësojnë fjalamani në por shikojnë mungesën e projekteve konkrete në kryeqytet. Shpendi do të mbahet mend edhe për diçka, është kryetari i parë i Prishtinë që ka diskriminuar banorët dhe kuadrot e qytetit të tij në punësim për të kënaqur apetitet e Vetëvendosjes, duke paguar 2 milionë euro në vit pagat e tyre me kontrata të paligjshme”, ka përfunduar Mustafa.