Mustafa: VV na mori 100 mijë vota – LDK heshti, po kandidojë për ta thyer heshtjen

Mustafa: VV na mori 100 mijë vota – LDK heshti, po kandidojë për ta thyer heshtjen

Kandidati për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, thotë se ka kandiduar për të thyer heshtjen që e ka kapluar LDK-në, njofton Insajderi.

Meqë kandidatët për kryetar të kësaj partie kanë vendosur që të kursejnë kohën duke mos mbajtur fjalimet e tyre, Mustafa fjalimin e tij e ka shkruar në letër të hapur, të cilën e ka publikuar me anë të një postimi në Facebook dhe ku ka përmendur edhe kalkulimet që sipas tij, janë bërë në këtë parti.

Ai thotë se në LDK po heshtin. “Heshtëm kur rrëzuam një qeveri antiperëndimore. Nuk u ballafaquam por u strukëm dhe kalkuluam. Por, kjo nuk ishte heshtja jonë as e parë e as e fundit. Ne heshtëm qe 15 vjet për mungesë të hapjes së partisë. E trajtuam partinë tonë, LDK-në, që dikur ishte lëvizja më e madhe popullore mbarshqiptare, si punë të përkohshme, zyrat e së cilës hapeshin vetëm gjatë zgjedhjeve. Nuk u reformuam. Edhe ato pak reforma që bëmë, ishin të zbehta, të kontrolluara. Ishin me kalkulime”, ka shkruar ai.

“Vetëvendosje na i mori mbi 100 mijë vota. Asnjë fjalë, asnjë reagim në LDK. Kur unë shpalla kandidaturën, dolën forca jashtë LDK-së që më sulmuan, më shanë, më ofenduan, më linçuan sepse kandidatura ime po i marrka dikujt ndonjë votë. Sikur kandidatura e Besianit në LDK qenka krim! Asnjë fjalë, asnjë reagim në LDK. U çuan njerëz që s’kanë asgjë të përbashkët me LDK-në”, ka thënë ai. /Insajderi.com