Mustafës i vazhdohet paraburgimi nga Specialja

Mustafës i vazhdohet paraburgimi nga Specialja

Gjykata Speciale e Kosovës ia ka vazhduar paraburgimin Salih Mustafës, i cili po akuzohet për krime lufte, përcjell Insajderi.com.

Përmes vendimit, Gjykata ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar si dhe mbrojtjen e viktimave që nëse dëshirojnë mund të paraqesin parashtrimet e tyre për rishikimin e ardhshëm të paraburgimit deri të hënën më 8 nëntor 2021.

Kurse, për mbrojtjen e Mustafës, afati për parashtrimin e tyre për rishikimin e ardshëm të paraburgimit është caktuar deri më 15 nëntor 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërkaq, raportohet se gjatë ditës së hënë do të vazhdojë dëgjimi i dëshmitarit të dytë ndaj Mustafës, i cili ka filluar më 23 shtator 2021.

Mustafa është deklaruar i pafajshëm në seancën e mbajtur më 15 shtator.

Aktakuza ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, është konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt./Insajderi.com