Mustafës i kalon hidhërimi me Thaçin, shfaqet buzagaz afër tij

Pas ftohjeve të raporteve mes kryeministrit dhe presidentit dhe hidhërimit që Mustafa e shprehu ndaj Thaçit, të dy janë parë afër njëri-tjetrit në shugurimin e katedrales "Nëna Terezë" të martën në Prishtinë. Madje, ata janë parë të buzëqeshur nga biseda që patën mes vete. 

Mustafës i kalon hidhërimi me Thaçin, shfaqet buzagaz afër tij

Një ftohje e raporteve mes kryeministrit Isa Mustafa dhe presidentit Hashim Thaçi u vu në pah kur presidenti të dielën i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndihmojë me një shumë parash viktimat në Amerikë.

Këtë kërkesë, Thaçi ia drejtori qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa përmes rrjetit social Facebook. Thaçi nuk i dërgoi kërkesë zyrtare Mustafës.

“I bëj thirrje dhe kërkoj nga Qeveria e Republikës së Kosovës që sa më shpejt të marrë vendim për ndarjen e së paku 100.000 US$ në ndihmë të familjeve amerikane të prekura nga kjo katastrofë”, shkruajti Thaçi.

E reagimi i kryeministrit Isa Mustafa erdhi më pas. Ai tha se pajtohet me idenë që Kosova të ndihmojë në këtë tragjedi por një kërkesë të tillë presidenti nuk duhet ta dërgojë përmes Facebook-ut.

“Për këto çështje presidentët nuk komunikojnë me qeverinë me facebook të dielën, por me akte zyrtare dhe duke respektuar legjimitetin e saj”, shkruajti Mustafa.

E pas kësaj ftohje të raporteve dhe hidhërimit që Mustafa e shprehu ndaj Thaçit, të dy janë parë afër njëri-tjetrit në shugurimin e katedrales “Nëna Terezë” të martën. Madje, ata janë parë të buzëqeshur nga biseda që patën mes vete.

Siç raporton Gazeta Zëri, Mustafa e bëri të qeshë disa herë presidentin Thaçi, kurse ky i fundit siç duket i vazhdonte batutat në anën e tij të djathtë, ku ishte ulur djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova, Uka.

Përveç kryeministrit Mustafa, Presidenti gjeti kohë që të fliste edhe me Ukë Rugovën. të akuzuarin për krim të organizuar dhe të dyshuar për udhëheqjen e një bande kriminale.

Prezent në ceremoninë e shugurimit të katedrales kryesore në Prishtinë sot, ishin krerët më të lartë të shtetit, politikanë, familje të dëshmorëve, përfaqësues të bashkësive fetare e personalitete të ndryshme. /Insajderi.com