Gjykata e Apelit në Serbi e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë, për padinë ndaj Ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, për vërtetimin e qasjes diskriminuese dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve.
Aktvendimin e kësaj gjykate e ka publikuar në llogarinë e tij në Facebook, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafi, duke thënë se “ky proces shpërfaq më së miri drejtësinë e sotme në Serbi”.
Ai ka shtuar se Gjykata e Apelit e ka legalizuar termin fyes për shqiptarët dhe ka bërë të ditur se betejën do ta vazhdojë në Gjykatën Kushtetuese.
“Gjykata e Apelit ka ‘refuzuar ankesën si të pabazuar të paditësit dhe vërteton aktgjykimin e Gjykatës së Lartë në Beograd’, në padinë ndaj Ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë, z.Aleksandër Vullin, për vërtetimin e qasjes diskriminuese dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve”, ka shkruar Mustafi.
Ndër tjera, ai i ka bërë thirrje Bashkimit Evropia, OSCE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të reagojnë ndaj Beogradit zyrtar.
“Kujtoj se të gjitha raportet relevante ndërkombëtare nënvizuan gjuhën e tij ksenofobe dhe raciste”.
“I bëj thirrje BE-së, OSBE-së dhe SHBA-së të reagojnë ndaj Beogradit zyrtar dhe ta parandalojnë gjuhën e urrejtjes kundër minoriteteve në Serbi, sepse lirimi i Ministrit Vullin nga akuzat e gjuhës së urrejtjes, intolerancës dhe diskriminimit, ‘legalizon’, diskriminimin, ksenofobinë dhe racizmin ndaj shqiptarëve që jetojnë në Republikën e Serbisë e gjetkë”./SHQIP.com