Komuna e Prishtinës së paku deri më 2019 nuk do ta bëjë asnjë hap për ta çuar përpara projektin për institucionin muzeor që do t’i dokumentojë krimet e luftës në Kosovë. Një muze të tillë vendi nuk e ka tash 20 vjet pas përfundimit të luftës.
Tre muaj më parë ishte paralajmëruar vrullshëm konkretizimi i kësaj nisme. Tri lokacione kanë qenë në shqyrtim për t’i bërë vend muzeut që u propozua me emrin “Muzeu për Krimet e Luftës 1998-1999”.
Strehimorja që gjendet në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë ishte përmendur si opsioni më i mundshëm. Tash gjërat janë më të paqarta edhe sa i përket projektit e edhe lokacionit, shkruan “Koha Ditore”.
Pos kësaj, sipas paralajmërimeve të Komunës së Prishtinës, Muzeu nuk do të titullohet kësisoj, ndërkaq përcaktimi i lokacionit të këtij institucioni muzeor nuk do të ndodhë brenda këtij viti.
Ideator i këtij projekti është analisti e studiuesi Shkëlzen Gashi.