Myftiu i Kosovës uron Ramazanin, kërkon fushatë të përgjegjshme

Myftiu i Kosovës uron Ramazanin, kërkon fushatë të përgjegjshme

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për fillimin e muajit të Ramazanit.

“Nesër, myslimanët anekënd botës nisin agjërimin e muajit të bekuar të Ramazanit, prandaj më lejoni që në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës dhe në emrin tim personal t’ju drejtohem me përgëzimet më të mira, duke ju dëshiruar që këtë muaj ta jetoni me të gjitha mirësitë e begatitë e tij”, ka shkruar Tërnava.

Në urimin e myftiut Tërnava thuhet se Ramazani i sivjetshëm vendin tonë e gjen në një proces të rëndësishëm për të ardhmen e tij, përkatësisht në zgjedhjet nacionale, kurse qytetarët para obligimit për të thënë fjalën e tyre.

“Prandaj, urojmë dhe shpresojmë që gjatë këtij muaji të rahmetit e mëshirës, spektri ynë politik pjesëmarrës në zgjedhje do të zhvillojë një fushatë dinjitoze, të përgjegjshme, të qytetëruar, kurse dita e zgjedhjeve të jetë një ditë feste e gëzimi për të gjithë ne”, thuhet në urimin e Tërnavës.

Tërnava në fund është lutur që pas procesit zgjedhor dhe pas Ramazanit të jenë sa më të bashkuar.

“Nga procesi i zgjedhjeve dhe nga muaji i bekuar i Ramazanit lutemi që të dalim edhe më unik, më të bashkuar, më të fortë, më të konsoliduar dhe më të përgatitur shpirtërisht dhe institucionalisht”, ka shkruar Tërnava./Insajderi.com