Paramendojeni situatën sikur Valbona Marku të ishte vrarë për shkak se burri i saj do ta kishte zënë në shtrat me një mashkull tjetër? Cili do të ishte reagimi i shoqërisë? I madh e i vogël do ta arsyetonim vrasjen! Sot ne vetëm mund të vajtojmë të shkretën grua që iku nga dhuna e burrit, por kurrkush nuk mbrojti. U la në mëshirën e një vrasësi gjakftohtë.
Kaherë shëmti më të madhe nuk kam parë sesa këtë të premte. Katër burra, policë dhe prokurorë, mes tyre drejtori rajonal i Policisë së Gjakovës, Ahmet Hasi, u munduan ta arsyetojnë vetën duke thënë se “Valbona Marku nuk kërkoi mbrojte, por vetëm e raportoi rastin në Polici”.
Çfarë pritët ju?
Që Valbona Marku të vinte në stacion dhe të citonte ligje e nene që “garantojnë” mbrojtje të jetës së saj?
A nuk është kërkesë për mbrojtje, raportimi në Polici se është kërcënuar nga ish-bashkëshorti i saj, i cili vetëm pak ditë më herët ishte liruar nga paraburgimi pikërisht për dhunën e ushtruar tashmë mbi të ndjerën, Valbona?
A nuk është në kompetencën tuaj ta bëni vlerësimin e rrezikshmërisë së një kërcënimi?
Mos pritët që Valbona Marku të kërkonte mbrojtje të afërme?
Natyrisht se jo. Asnjërën prej këtyre nuk do ta bënte.
Edhe po ta bënte, ju nuk do t’i ofronit ndihmë, sikurse nuk i keni ofruar, Diana Kastratit e cila kishte kërkuar nga Gjykata masë mbrojtëse të cilën nuk e kishte marrë. Për pasojë ishte vrarë nga ish-burri i saj.
Këta katër burra që kanë dalë këtë të premte në konferencë për media, do të duhej fillimisht që këtë arsyetim për mospunën e tyre ta lexonin fillimisht para pasqyre, e ta shihnin vetën se si do të dukeshin duke arsyetuar mospunën e tyre, që për pasojë mori dy jetë njerëzish.
Mbase po të dilnin para pasqyre, do t’i shihnin veshët e tyre paksa të skuqur nga turpi e dështimit të shtetit për të mbrojtur jetët e njerëzve të pafajshëm, veçanërisht kategorisë më të cenueshme në këtë shoqëri të mjerë, bizare e agresive.
Duke mos e bërë këtë, ata pa fije turpi u përpoqën ta arsyetonin vetën. Ta arsyetonin dështimin. Ta arsyetonin pjesëmarrjen në një krim të dyfishtë.
Këta katër burra dhe të gjithë përgjegjësit tjerë, nuk duhet të kenë frikë! Askush nuk do t’i ndëshkojë. Siç nuk është ndëshkuar gjyqtari, Enver Shabani që nuk i kishte ofruar mbrojtje ligjore, Diana Kastratit, ani se Gjykata Kushtetuese e bëri përgjegjës atë dhe rrjedhimisht shtetin për vrasjen e saj.
Gjyqtari, Shabani pos që nuk është ndëshkuar, ai ishte riemëruar gjyqtar në Gjykatën e Prishtinës. Kishte marrë votat e nevojshme të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe ishte dërguar për dekretim tek presidentja, Atifete Jahjaga.
Brenda fuqisë dhe kompetencave të saj, Jahjaga e kishte refuzuar njëherë dekretimin e tij. Por, për shkak të ligjeve që kufizonin veton e saj, Këshilli Gjyqësor e dërgoi sërish emrin e këtij gjyqtari për dekretim. Në herën e dytë, presidentja nuk kishte më kompetenca ta refuzonte dekretimin.
Njëjtë do të ndodh edhe me juve!
Sepse, ne jemi shoqëri që duam rend dhe ligj, por duam gjak e dhunë.
Sepse, neve na udhëheq një president i cili sivjet ka falur vetëm vrasës, mes tyre dhëndrin e familjes së tij që kishte vrarë të bijën 16 vjeçe.
Sepse jemi një shoqëri që arsyetojmë dhunën dhe gjakun duke u thirrur në Kanun, e në Sheriat.
Sepse ne jemi një shoqëri burrash që femrave u fishkëllejmë nga veturat, e i quajmë kurva kur na refuzojnë.
Paramendojeni situatën sikur Valbona Marku të ishte vrarë për shkak se burri i saj do ta kishte zënë në shtrat me një mashkull tjetër? Cili do të ishte reagimi i shoqërisë?
I madh e i vogël do ta arsyetonim vrasjen!
Sot ne vetëm mund të vajtojmë të shkretën grua që iku nga dhuna e burrit, por kurrkush nuk mbrojti. U la në mëshirën e një vrasësi gjakftohtë.
Secili njeri ka bishën dhe instiktet kafshërore brenda vetës. Shumica e mbajnë të ngujuar këtë bishë. Për ata që nuk arrijnë ta kontrollojnë, është shteti ai që duhet ta kontrollojë bishën e tyre, dhe instiktet vrastare.
E kur nuk ekziston shteti ligjor, atëherë kafshë të tilla do të bëjnë pre këdo që i del përpara.
Shëmtia e parë në konferencën e katër burrave – policë e prokurorë, do të më shoqërojë gjatë kohë. /Insajderi.com