Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, është zotuar se gjatë mandatit të saj do të punohet në trajnimin dhe angazhimin e asistentëve në shkolla për fëmijët me nevoja të veçanta, në mënyrë që të mos ketë asnjë ngecje gjatë procesit mësimor, njofton Insajderi.
Nagavci bashkë me kryeministrin Albin Kurti, ushtruesin e detyrës së presidentit, Glauk Konjufca dhe Vjosa Osmani, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Autizmit, kanë takuar përfaqësuesit e dy shoqatave të autizmit në Kosovë: Shoqata Autizmi dhe Autizmi flet.
Ajo ka shtuar se Ministria e Arsimit është e përkushtuar për të siguruar mundësi të denjë arsimore për nxënësit autikë dhe për të promovuar përfshirjen e fëmijëve me autizëm, në programet e arsimit të fëmijërisë së hershme.
Mbi këtë, ministrja inkurajoi të gjithë që të mësojnë më shumë rreth autizmit dhe mënyrave për të mbështetur individët në spektrin e autizmit dhe familjet e tyre, si dhe për të ndihmuar në formimin e një rrethi në të cilin të gjithë njerëzit, përfshirë ata me autizëm, të pranohen për atë që janë.
Po ashtu, përfaqësuesit e shoqatave të autizmit ishin të shoqëruar edhe nga një numër i fëmijëve dhe prindërve. /Insajderi.com