Nagavci: Gjatë kësaj jave vendoset që kur do të fillojë viti i ri shkollor

Nagavci: Gjatë kësaj jave vendoset që kur do të fillojë viti i ri shkollor

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se në mbledhjen e radhës të Qeverisë, që do të mbahet këtë javë – merret vendimi për datën që kur do të fillojë viti i ri shkollor.

Ditëve të fundit është shtuar numri i vdekjeve dhe infeksioneve me COVID-19, duke e lënë në pikëpyetje 1 shtatorin për fillimin e vitit shkollor 2021/2022.

“Sa na i përket neve si ministri, por edhe komunave e shkollave janë bërë të gjitha përgatitjet. Natyrisht situata me pandeminë, sidomos ditëve e javën e fundit me numrat gjithmonë në rritje na kthejnë në vëmendje se për marrjen e vendimit duhet respektuar në tërësi rekomandimet e ekspertëve e IKSHPK-së”, ka thënë ajo në Interaktiv, të enjten.

“Masat aktuale janë në fuqi deri më 1 shtator, e vendimi i ri duhet të merret para 1 shtatorit. Ne i respektojmë rekomandimet e IKSHPK-së”, vazhdoi ajo.

Nagavci theksoi se nuk ka rekomandime specifike për kohën kur do të fillojë vijimi i mësimit

“Jemi të njoftuar se trendët po ndryshojnë. Bëhet fjalë edhe për një javë deri te planifikimi për fillimin e vitit të ri shkollor. Po e përcjellim situatën dhe në mbledhjen e ardhshme do të merret vendimi për fillimin e vitit të ri shkollor”, pohoi ministrja.

Gjatë një periudhe mësimi është vijuar online, për shkak të situatës me pandeminë. /Insajderi.com