Nagavci kërkon transparencë të plotë dhe respektim të meritokracisë në UP

Nagavci kërkon transparencë të plotë dhe respektim të meritokracisë në UP

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka kërkuar transparencë të plotë dhe respektim të meritokracisë në Universitetin e Prishtinës nga rektori, Naser Sahiti, njofton Insajderi.

Ajo ka kërkuar të trajtohet në mënyrë profesionale dhe të paanshme në Këshillin e Etikës rasti i profesorit universitar, Ardian Kastrati, një postim në Facebook i të cilit u konsiderua ofendues ndaj presidentes Vjosa Osmani.

Ministrja këto kërkesa i ka bërë në takim së bashku me zëvendësministrin e Arsimit, Dukagjin Popovci, në Universitetin e Prishtinës, ku u pritën nga rektori Sahiti, si dhe menaxhmenti i këtij universiteti.

Nagavci ka përmendur edhe integrimin në procesin akademik të personelit nga mërgata, si dhe krijimin e Fondit për kërkime shkencore.

“Rektori Sahiti, ndër të tjera ka kërkuar mbështetjen e Ministrisë së Arsimit në sigurimin e sistemit antiplagjiaturë, si dhe sigurimin e qasjes në revista shkencor dhe në këtë rast ministrja Nagavci e ka përgëzuar Rektorin për vendimin e Këshillit Drejtues për ndarjen e një përqindëshit nga fondi i përgjithshëm i UP-së, për formimin e Fondit për kërkime shkencore, duke theksuar se çështja e kërkimeve shkencore është në prioritetet e planit qeverisës”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera në takim është diskutuar edhe për situatën e krijuar në arsimin e lartë gjatë kohës së pandemisë Covid-19, vendimin e Ministrisë për mos shtyerje të datave të Provimit të Maturës, në mënyrë që të mos ketë vonesa në pranimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2021/2022 si dhe matjen e kontigjentit të të diplomuarve, për të parë statusin e tyre pas diplomimit. /Insajderi.com